6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Importet e karburanteve rriten me 10%

Importi i karburanteve u rrit me 10.2 për qind në sasi në shtatë muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare nga ministria e Financave tregojnë se për periudhën Janar-Korrik të këtij viti, Shqipëria importoi në total 343.2 mijë tonë karburante nga 311.4 mijë tonë që ishte shifra për Janar-Korrik të vitit të kaluar.

Karburantet janë burimi kryesor i të ardhurave për doganat. Sipas të dhënave zyrtare, administrate doganore mblodhi 26.6 miliardë lekë ose rreth 246 milionë euro nga taksimi i karburanteve në 7 muajt e parë. Kjo përbën 22 për qind të totalit të të ardhurave që kanë mbledhur doganat për këtë periudhë.

Pas karburanteve, burimi i dytë është taksimi i cigareve, që për 7 mujorin solli rreth 15.4 miliardë lekë në arkën e doganave.

Importi i karburanteve shënoi një rënie të ndjeshme gjatë vitit të kaluar për shkak të rritjes drastike të çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë. Në total për të gjithë vitin 2022, Shqipëria importoi 556 mijë tonë karburante ose 9 për qind më pak se sa në vitin 2021.

Megjithatë të dhënat e këtij viti tregojnë se importi i karburanteve i është rikthyer ritmit normal duke qenë në nivele të njëjta me atë të para krizës së çmimeve që u regjistrua vitin e kaluar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *