15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rriten kamatvonesat për bizneset që nuk paguajnë në kohë taksat

Bizneset të cilët nuk paguajnë detyrimet tatimore në afat janë ngarkuar me kamatëvonesa të cilat regjistrohen në përqindjen më të lartë që nga viti 2016. Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në 3.25 %, përpos efekteve që ka sjellë në shtrenjtimin e kredive, ka bërë që penalitetet e bizneseve të jenë më të larta.

Sipas ligjit në fuqi për “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 76, “Kur detyrimi tatimor nuk paguhet në afat, tatimpaguesi është i detyruar që, për periudhën nga afati i pagesës deri në datën e pagesës së tatimit, të paguajë kamatëvonesë për këtë shumë. Sipas pikës 3, të po këtij neni “Masa e kamatëvonesës, sipas ligjit të sipërcituar, është 120 për qind e shkallës së interesit ndërbankar të Bankës së Shqipërisë, që përcaktohet çdo tremujor, në bazë të shkallës mesatare të tremujorit paraardhës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon dhe përditëson në faqen zyrtare të internetit normën e interesit që aplikon për llogaritjen e kamatëvonesës.

Kështu, nëse do të bëjmë një analizë ndër vite, referuar përditësimeve të bëra nga administrata tatimore, duke nisur që nga 2016 dhe në vijim, vihet re se përqindja e llogaritjes së kamatëvonesave ndaj bizneset, në Janar 2024 arrin vlerën më të lartë, e regjistruar në 8.58 për qind. Rritja ka qenë graduale nga Korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, ndërsa norma më e ulët është aplikuar nga fundviti i 2020-ës deri në fund të 2021 me 5.4 %.

Sipas ligjit në fuqi, kamatëvonesa paguhet në çdo rrethanë dhe nuk mund të hiqet nga administrata tatimore, as të ankimohet, me përjashtim të rasteve kur ka gabime në llogaritje ose kur detyrimi tatimor, për të cilin zbatohet, ndryshon.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *