30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rritet borxhi tatimor/ Bizneset kanë 1.4 miliardë euro taksa të papaguara në shtet

Borxhi që bizneset i kanë shtetit në formën e taksave të papaguara u rrit me rreth 12 miliardë lekë ose 114 milionë euro gjatë vitit të kaluar, duke kapur shifrën 1.4 miliardë euro. Alarmi është dhënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport auditimi të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

“Gjendja e detyrimeve tatimore gjithsej të papaguara në fillim të vitit 2022 paraqitet në vlerën rreth 134,9 miliardë lekë, që i përket një numri prej 192,7 mijë subjektesh debitorë. Në fund të vitit 2022 këto detyrime rezultojnë në vlerën rreth 146,7 miliardë lekë që i përket një numri prej rreth 182,3 mijë subjektesh debitorë,” konstaton raporti i auditimit.  

Pjesa më e madhe e këtij borxhi i përket bizneseve që tashmë janë në status pasiv dhe nuk kryejnë më aktivitet tregtar. Sipas KLSH, bizneset pasive kanë në total 105.9 miliardë lekë taksa të papaguara në shtet. Në numër bëhet fjalë për 110.9 mijë subjekte debitore, të cilat tashmë janë pasive. Ndërkohë, 40.7 miliardë lekë borxh i papaguar u përket bizneseve aktive të cilat vazhdojnë aktivitetin e tyre në treg.

KLSH vëren se një numër gjithmonë e më i madh biznesesh pasi lënë të papaguara taksat në shtet kalojnë në status pasiv.

“Krahasuar me vitin e kaluar numri i subjekteve debitore në shtet që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 6 për qind, ndërsa vlera e borxhit të tyre ndaj shtetit u rrit me 7 për qind,” konstaton raporti.

Sipas të dhënave analitike, rezulton se 77 për qind e borxhit total që bizneset i kanë shtetit për taksat e papaguara është me moshë mbi 2 vjet. Sa më shumë rritet mosha e këtyre detyrimeve aq më të ulëta janë mundësitë që ato të rekuperohen.

Ndaj Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Tatimeve që të mos qëndrojnë duarkryq përballë kësaj situate shqetësuese, e cila gërryen arkën publike nga të ardhurat dhe shtrëmbëron konkurrencën në treg.

“DPT në bashkëpunim me strukturat e mbledhjes me forcë të borxhit, të marrin masa të menjëhershme për uljen e borxhit tatimor. Këto struktura duhet të luajnë një rol më aktiv në monitorimin e mbledhjes së borxhit dhe marrjen e masave konkrete duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të parashikuara për uljen e borxhit tatimor,” përfundon raporti.  

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *