20 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rritja e akcizës/Importi shkatërron birrën vendase

Importi i birrës u rrit me 15.6 për qind në katër muajt e parë të vitit duke konfirmuar se industria vendase e birrës po zhytet gjithmonë e më shumë në krizë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën Janar-Prill të këtij viti, Shqipëria importoi 12.3 mijë litra birrë çka përbën rekordin më të lartë të shënuar ndonjëherë.

Sipas të dhënave, krahasuar me tre vjet më parë rezulton se importet e birrës nga jashtë thuajse janë dyfishuar. Meqënëse konsumi i birrës rezulton të ketë mbetur në shifra pak a shumë të njëjta, kjo tregon se birra e importit po zëvendëson prodhimin vendas.

Gjatë vitit të fundit, qeveria ka qenë në kurs përplasje me pronarin e dy prej ndërmarrjeve kryesore të prodhimit të birrës në vend, Irfan Hysenbelliun. Administrata tatimore, por edhe ajo doganore kanë vendosur disa gjoba të mëdha, veçanërisht ndaj kompanisë Birra Tirana, për mospagim taksash në të shkuarën.

Paralelisht në paketën fiskale të këtij viti, qeveria dyfishoi akcizën për birrën e prodhuar në vend, përmes heqjes së progresivitetit sipas kapacitetit prodhues.

Taksa

Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hektolitra, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel, akciza ishte 710 lekë. Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, nga 1 janari i këtij viti taksa u unifikua në 710 lekë për të gjithë, si për prodhuesit mbi mbi 200,000 Hl, ashtu dhe për ata nën këtë nivel.

Ky ndryshim praktikisht dyfishoi akcizën për të gjithë birrën e prodhuar në vend. Ndryshimet e ligjit të akcizës u shoqëruan me debate të forta nga grupet interesit. Shoqata e Prodhuesve të Birrës Vendase bëri thirrje disa herë në seancat dëgjimore të komisioneve parlamentare se masa e re fiskale do të falimentonte sektorin dhe rrezikon të nxjerrë 1,000 persona të papunë.

Nga Ministria e Financave u argumentua se diferencimi ka favorizuar prodhuesit vendas dhe ka krijuar hapësira për shmangie nga detyrimet e akcizës, mbështetur te të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *