13 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rrokadë në kreun e AZHT/ Ikën Ledia Tota, vjen Adelajda Roka

Ndryshime në kreun e një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, Agjencinë e Zhvillimit të Territorit. Ledia Tota, drejtoresha jetëgjatë e AZHT-së, njëkohësisht dhe sekretare e përgjithshme e Këshillit Kombëtar të Territorit është larguar nga kjo detyrë. Në vend të saj është emëruar Adelajda Roka.

E diplomuar në Politeknikumin e Torinos si arkitekte, Tota ka mbajtur postin e drejtorëshës së AZHT që nga viti 2015 duke qenë një nga drejtoreshat e rëndësishme me jetëgjata në qeverisjen e Partisë Socialiste. Burime për Kapitali.al bënë të ditur se tashmë Tota është emëruar si këshilltare e Edi Ramës për çështjet e ndërtimit.

Ndërkohë drejtoresha e re, Adelajda Roka, është me profesion juriste dhe një njohëse e mirë e problematikave të pronave. Më parë ajo ka punuar si përfaqësuese ligjore e kompanisë Fushë Krujë Cement Factory.

Nuk dihet ende nëse këto ndryshime në kreun e AZHT lidhen me motive personale apo kanë të tjera arsye. Por vitet e fundit AZHT dhe Këshilli Kombëtar i Territorit kanë qenë në qendër të debateve publike për hovin e madh të lejeve të ndërtimit, veçanërisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare të vendit, ndonëse këto institucione mbulojnë vetëm anën tenkike dhe vendimarrja për kullat shumëkatëshe në Tiranë apo resortet që betonizojnë bregdetin është ekzkluzivisht politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *