15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Sa do të jetë shtesa në pagë për administratën?/ Nga mjekët tek mësuesit, 6 kategoritë që përfitojnë rritje nga 1 Korriku 2024

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror për tremujorin e fundit të vitit 2023 u regjistrua në 87,864 lekë, synimi i qeverisë është që me këtë rritje, paga mesatare në shtet të arrijë në 900 euro në muaj.

Por cilat janë kategoritë që do të përfitojnë ndryshim në pagë këtë vit?

Sektori i shëndetësisë do të ketë rroga të reja. Kështu rritje të mëtejshme të pagave do të përfitojnë mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë.

Po ashtu, rritje do të ketë edhe në sektorin e arsimit, ku do të përfitojnë kryesisht mësuesit në arsimin parauniversitar.

Shtesë në pagë parashikohet edhe për forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qendrore.

Këtë vit reforma do të shtrihet edhe tek punonjësit e pushtetit vendor, pagat e të cilëve janë në nivele të ulëta në raport me institucionet qendrore.

Sa i takon masës së shtesës, në buxhetin e vitit 2024, për afro 36 mijë punonjës në arsimor të Sistemit Arsimor Parauniversitar, parashikohet rritje e pagës me 23-36% të pagës bruto. Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, përfitojnë rritje nga 26-34% të pagës bruto; Rreth 22 500 punonjës të sistemit me Grada parashikohet të përfitojnë rritje të pagës për gradë me mesatarisht 30% për vitin 2024.

Në total, efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë lekë, ose 400 milionë Euro. Reforma e pagave e nisur dy vite më parë synon të rrisë konkurrencën në tregun e punës, duke nxitur edhe rritjen e pagave në sektorin privat.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *