14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Saga e basteve/ Mazhoranca tërheq sërish draftin nga votimi

Edhe pse ishte parashikuar të votohej në seancën e sotme plenare të Kuvendit, mazhoranca ka tërhequr në minutat e fundit projektligjin që rikthen bastet sportive në Shqipëri. Burime nga brenda maxhorancës i thanë Kapitali.al se votimi i projektligjit të basteve është shtyre për javën tjetër.

Drafti i basteve sportive qëndron për muaj të tërë në sirtaret e Kuvendit. I parashikuar të votohej që në fillim të vitit të kaluar, miratimi i këtij ligji është shndërruar në një telenovelë që duket sikur nuk ka fund. Fillimisht drafti u vonua nga ministria e Financave, e cila e depozitoi në Kuvend verën e vitit të shkuar. Më pas, diskutimet e projektligjit u pezulluan disa muaj nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi, i cili kërkoi më shumë kohë për të shyqrtuar draftin.

Zoti Shalsi, propozoi ndryshimin e disa neneve të draftit, përfshirë atë për dyshemenë e kuotave që duhet të zotërojnë kompanitë e huaja me eksperiëncë në shoqëritë që do të marrin liçencën e basteve sportive si dhe uljen e moshës për lojtarët nga 21 në 18 vjeç.

Rikthimi i basteve është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, e cila ka ka akuzuar kryeministrin se po e zapton tregun për klientët dhe njerëzit afër tij. Ndërkohë sipas saj, ky ligj është një tjetër nismë përmes të cilës, qeveria synon të lehtësojë pastrimin e parave në ekonominë shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *