21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shalsi përmbys ligjin e basteve/ Kërkon dysheme për aksionerët e huaj dhe monitorimin në kohë reale nga shteti

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Eduart Shalsi, i ka kërkuar ministrisë së Financave të shqyrtojë ndryshimin e disa neneve në projektligjin për rihapjen e basteve duke nisur nga kontrolli në kohë reale i çdo transaksioni.  

“Duhet një sistem shtetëror, tek i cili do të lënë gjurmë sipas një modeli “mirroring” të gjitha transaksionet që do të ndodhin në platformave e kompanitve ku do të luhen bastet sportive,” propozoi Shalsi.

Sipas tij, bastet do të luhen në platformat e vetë kompanive, por shteti duhet të ketë mbikqyrjen e transaksioneve në kohë reale.

“Ka një koncesion për mbikqyrjen të dhënë disa vite më parë, që do të mbetet në fuqi për shkak të kontratës. Ndërkohë që ajo që sugjerohet është të vendoset në ligj shtimi edhe i një sistemi shtetëror për të mos lejuar manipulimin,” tha Shalsi

Sipas Shalsit, kjo kërkesë ka ardhur nga ekspertë të këtij sektori.

“Teknikisht na thonë se është tërësisht i realizueshëm. Do të duhet të caktohet se ku do të vendoset ky sistem “mirroring”, me gjasa në AMLF, në mos në AMLF në ministrinë e financave,” vijoi Shalsi

Por Erjon Braçe kishte një sugjerim edhe më të rreptë. Ai kërkoi që platforma ku të luhen bastet të jetë e shtetit.

“Një platformë e ndërtuar nga shteti, ku të aksesojnë kompanitë e basteve do t’i japë fund kësaj historie dhe mashtrimeve, që këta shpërndajnë 90 për qind të parave tek lojtarët dhe mund të mbrojë lojtarët nga ky mashtrim kaq i madh,” tha Braçe.

Por sipas Shalsit kjo nuk është e realizueshme pasi  do të kërkonte vite dhe kostoja për shtetin mund të arrinte deri në 120 milionë euro.  

Dysheme për aksionerin e huaj

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që propozoi kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë ishte ajo e vendosjes së dyshemesë së detyrueshme për përqindjen e aksioneve që duhet të kenë kompanitë e huaja nga vendet e OECD në kompanitë që do të liçencohen nga shteti shqiptar.

Drafti sanksionon se licençat e basteve do të jepen vetëm për kompanitë që kanë aksionerë me aktivitet në tre vende të OECD prej së paku tre vitesh, por pa përcaktuar dysheme për nivelin e aksioneve. “Kompanitë serioze nuk mund të vijnë me një numër 1 për qind 2 për qind të aksioneve, ndërkohë që nga debatet, ekspertët e fushës iu referuan ligjit të pronarëve përfitues ku duhet të kesh minimumi 25 për qind. Pra ka një kërkesë që mos të lihet kështu sic është e shkruar niveli i përqindjes së aksioneve në kompanitë e basteve online, port ë përcaktohet me dysheme,” u shpreh Shalsi.

Propozimi i tretë i kreut të Komisionit Kuvendor të Ekonomisë ishte që në draft të përfshihet dhe hapja e kazinove online.

“Na është thënë që ka një aktivitet të madh të kazinove online, të cilat luhen ilegalisht. Ne kemi kazino fizike, ndërkohë që ligji nuk parashikon kazino online. Nëse ka një aktivitet që quhet kazino online ku luhet ilegalisht pse mos ta formalizojmë,” përfundoi Shalsi.

Këto ishin sugjerimet që deputetët në Komision bënë për ministrinë e Financave, e cila do të duhet të ripunojë sërish draftin për hapjen e basteve sportive, ndërkohë që gjatë diskutimeve u hodh ideja e hartimit të një projektligji të ri.

Me sa duhet presionet mbi projektligjin për rihapjen e basteve sportive janë të mëdha, teksa miratimi i ligjit po zvarritet pambarimisht në Kuvend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *