Shëndeti i ekonomisë dhe shitjet e shampanjës kanë një korrelacion të drejtë. Kur ekonomia globale lulëzon, shitjet e shampanjës shpërthejnë. Por kur ekonomia e botës kalon në cikël negativ, shampanja kthehet në luks për shumë konsumatorë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe as këtë vit.
Inflacioni dhe inventarët sugjerojnë një Krishtlindje më pak të ndezur për shitjet e shampanjës. Comité Champagne (shoqata që bashkon prodhuesit e verës, kooperativat dhe maisonët, d.m.th. kompanitë prodhuese) parashikon që në fund të vitit shitjet nuk do të shkojnë përtej 300-305 milionë shishe krahasuar me 325 milionë vitin e kaluar. Prandaj, vlerësohet një rënie që mund të luhatet midis nivelit 6 dhe 7.5%.
Sigurisht, një ndikim ka edhe krahasimi me një vit rekord 2022, i cili ishte historik për shitjet e shampanjës, i dyti më i mirë ndonjëherë pas vitit 2007, kur u shitën 338.8 milionë shishe.
Tregu i brendshëm europian është veçanërisht në tkurrje, duke thithur rreth 40% të prodhimit dhe ku pritet një rënie edhe më e fortë me një vlerësim prej 123-125 milionë shishe, rreth 9.4% më pak se 138 milionë e vitit të kaluar.
Megjithatë, një mbajtje më e madhe duhet të shihet në tregjet ndërkombëtare ku pritet të dërgohen rreth 175 milionë shishe (përsëri, 6.4% më pak krahasuar me 187 milionë në 2022).
Në Comité Champagne nënvizojnë se këtë vit gjërat shkuan edhe më keq për shitjet në kanalin e hipermarketeve dhe supermarketeve me një ulje të shitjeve prej 20%. Megjithatë, prodhuesit nuk janë të befasuar nga këto shifra.
“Vitin e kaluar – komentoi bashkë-presidenti i Comité Champagne, David Chatillon – frika e mbarimit të produktit pas korrjeve të luhatshme të 2019, 2020 dhe 2021 inkurajoi klientët dhe shpërndarësit tanë të rezervonin, ndoshta tepër. Kur një klienti i duheshin 6 shishe, ai porosiste 9. Por këtë vit po ndodh e kundërta. Klientët kanë qenë gjithnjë e më të kujdesshëm në porositë e tyre edhe për shkak se normat e interesit janë rritur, gjë që rrit koston e inventarëve”.
Në fakt, do të ishte e nevojshme të ktheheshim në vitin 2009 për të gjetur një rënie të ngjashme në vëllimet e tregtuara të flluskave franceze. Në fakt, në vitin 2009, si pasojë e krizës së madhe financiare të vitit 2008, shitjet e shampanjës ranë në 293 milionë shishe, duke konfirmuar korrelacionin e fortë të gjetur historikisht midis konsumit të shampanjës dhe shëndetit të ekonomisë globale.
Por alarmi nuk bie mes prodhuesve edhe sepse shampanjat më të vlefshme (formatet speciale dhe shishet e cilësisë së mirë), veçanërisht jashtë vendit, vazhdojnë të mbeten në territor pozitiv. Në përgjithësi, çmimi mesatar i shisheve është rritur dhe për këtë arsye, shoqata ndërprofesionale vlerëson se në fund të vitit dhe pavarësisht rënies së vëllimeve, xhiroja do të mbetet e qëndrueshme, në 6.3 miliardë euro. I njëjti nivel me vitin rekord 2022.