6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri

Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i profesioneve të lira do të sillte 3 miliardë lekë ose 30 milionë euro në vit të ardhura në buxhetin e shtetit. Vlerësimet zyrtare ishin pjesë e relacionit të projektbuxhetit, që iu dorëzua Kuvendit në muajin nëntor.

Por që në fillim shifrat e ministrisë së Financave mbi taksimin e profesioneve të lira krijuan dyshime për shkak të mospërputhjeve. Fillimisht thuhej se taksa do të prekte 8 mijë profesionistë të lirë, ndërsa më vonë shifra shkoi në 29 mijë biznese.

Gjithçka u bë më e qartë vetëm pak ditë më parë, kur ministri i Financave, Ervin Mete, mbrojti në Kuvend taksimin e profesioneve të lira, pas kundërshtive publike të kësaj kategorie. Zoti Mete përdori argumentat e një memoje të brendshme të ministrisë së Financave për të justifikuar se pse taksimi i profesioneve të lira ishte një hap i duhur për vendosjen e drejtësisë fiskale.

“Vjet kjo kategori ka raportuar të ardhura në nivelin 850 milionë euro dhe fitim 510 milionë euro. Ndërkohë që i gjithë fitimi i sektorit bankar ka qenë 280 milionë euro”, deklaroi zoti Mete.

Qeveria si defterët e Çiçikovit
Taksimi i profesioneve të lira kafshon fitimin neto të kësaj kategorie me dy shkallë progresive. Për bizneset me fitim deri në 14 milionë lekë në vit, zbatohet taksa 15 për qind. Ndërsa për çdo lek fitim mbi nivelin 14 milionë lekë, taksa shkon në 23 për qind ashtu si taksimi i pagave.

Nëse vitin e kaluar profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime realizuan 510 milionë euro fitim, këtë vit ata duhet të parapaguajnë minimalisht 76.5 milionë euro tatim mbi fitimin (510 milionë euro*15%). Dhe ky është vetëm vlerësimi dysheme, i cili supozon se të gjitha bizneset janë nën pragun 14 milionë lekë dhe taksohen vetëm me 15 për qind, jo me 23 për qind.

Pra, vetëm 5 muaj më parë, qeveria deklaronte zyrtarisht në buxhet se taksimi i profesioneve të lira do të sillte 30 milionë euro të ardhura në vit. Tani, 4 muaj më pas llogaritë e shifrave zyrtare thonë se profesionet e lira do të paguajnë minimalisht 76.5 milionë euro fitim ose mbi 2.5 herë më shumë.

Por cila është arsyeja që qeveria jep dy vlerësime të ndryshme në një kohë kaq të shkurtër për faturën e taksave që do të paguajnë profesionistët e lirë? Dy janë mundësitë. E para është politike; qeveria mashtroi zyrtarisht për të zbutur reagimin publik. Arsyeja e dytë është tërësisht ekonomike.

Të humbur në taksim
Në mikroekonomi ekziston një koncept, i cili mat humbjen që pëson shoqëria në mirëqënien e përgjithshme nga taksimi. Në termin teknik ai quhet “deadëeight loss of taxation”. Fatkeqësisht koncepti nuk është shqipëruar nga katedrat universitare të vendit sepse akademikët shqiptarë kanë punë më të rëndësishme, por ideja pas tij është e thjeshtë. Kur qeveria takson një produkt apo shërbim, çmimi i tij rritet. Rritja e çmimit çon në uljen e kërkesës, rrjedhimisht prodhimi i këtij malli ose shërbimi bie. Kjo është humbja nga taksimi ose mbibarra tatimore.

Me vlerësimet e saj, qeveria shqiptare po programon që taksimi i profesioneve të lira të përgjysmojë tregun duke duke parashikuar që fitimi total i kësaj kategorie biznesesh të zbresë nga 510 milionë euro para taksës, në 200 milionë euro pas vendosjes së taksës.

Jo zyrtarisht ministria e Financave e ka argumentin. Sipas saj një pjesë e madhe e fitimeve prej 510 milionë euro të profesionistëve të lira janë thjesht shmangie taksash e kompanive dhe punonjësve. Të parat kanë copëtuar biznesin për të qëndruar nën pragun 14 milionë lekë të xhiros për të mos paguar taksa. Ndërsa të dytët i kanë transferuar të ardhurat e tyre nga paga në sipërmarrje biznesi pa taksim.

Sipas qeverisë me mbylljen e arbitrazhit dhe vendosjen e profesioneve të lira në taksim, ky shteg shmangie do të mbyllet dhe bashkë me të dhe bizneset e hapura enkas me qëllimin e vetëm për të shmangur taksat. Llogjikisht ky argument qëndron. Por sido që të jetë, llogaria në fund është një. Gjysma e profesionistëve të lirë aktualë do të humbasin në taksim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *