25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Shkrihet” AKCESK/ Qeveria krijon Autoritetin e Sigurisë Kibernetike

Qeveria do të krijojë një organ të posaçëm publik që do të jetë përgjegjës për sigurinë kibernetike në Shqipëri. Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit një ligj për sigurinë kibernetike, i cili parashikon se institucioni përgjegjës për këtë fushë do të jetë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është organ rregullator përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë,” thuhet në ligj.

Ky Autoritet do të jetë në varësinë direkte të Kryeministrit dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Punonjësit e tij do të kenë rrogat më të larta të sektorit publik në Shqipëri.

“Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së Autoritetit, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën deri në 800 000 (tetëqind mijë) lekë në muaj,” thuhet në ligj.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të ketë kompetencat për identifikuar dhe klasifikuar infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend. Ai gjithashtu do të monitorojë se si zbatohet rregullat e sigurisë në infrastrukturën dixhitale të vendit dhe në në rast sulmesh kibernetike do të jetë organi që do të koordinojë punën me institucionet e tjera të kësaj fushe.

Aktualisht organi i ngarkuar me sigurinë kibernetike është Autoriteti Kombëtar për Cerftifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, që ndryshe njihet si AKCESK. Me krijimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, roli i AKCESK do të dimensionohet thjesht në atë të çertifikimeve elektronike.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *