19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Shkrihet” drejtoria e Koncesioneve

“Shkrihet” drejtoria e Koncesioneve

Në fund të gjashtëmujorit të parë të çdo viti, Ministria e Financave është e detyruar që të publikojë raportin vjetor të mbikqyrjes së kontratave koncesionare për vitin paraardhës. Raporti është pjesë e indikatorëve të mirëqeverisjes, mbi bazën e të cilëve Bashkimi Europian disburson gratet për Shqipërinë.

Por këtë vit nuk ka raport sepse institucioni që e përgatit atë, Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Financave praktikisht është shkrirë.   

Pasi Shqipëria u përfshi nga marrëzia e koncesioneve të pakërkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri presion qeverisë duke kërkuar me ngulm ngritjen e një drejtorie të posaçme, e cila do të shërbente si barrierë për të mos lejuar miratimin e projekteve koncesionare pa leverdi ekonomike për buxhetin.

Për këtë qëllim u krijua Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Financave. Sipas projektit, ministria do të përbëhej nga 8 ekspertë, të cilët do të analizonin çdo projekt koncesionar të propozuar dhe në bazë të leverdisë ekonomike për buxhetin do të vendosnin nëse do e miratonin ose jo.

Drejtoria u ngrit, por nuk e pati shumë të gjatë. Të gjithë punonjësit e saj ose janë dorëhequr ose janë larguar për shkak se u bëhet presion që të firmosin koncesione të çuditshme. Për pasojë, aktualisht Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Financave ka ngelur me vetëm dy punonjës. Drejtorin e komanduar dhe një specialiste që aktualisht është me leje lindje.

Gjithë të tjerët kanë ikur, veçanërisht pas atyre që po ndodhin me dosjet e SPAK.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *