15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shoqata e Iutes dhe Kredos distancohet nga MCA dhe Final

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare ka reaguar në lidhje me skandalin e mashtrimit me kreditë. Përmes një deklarate për shtyp, kjo shoqatë thotë se dënon cdo praktikë të paligjshme dhe korruptive në sistemin financiar.

Reagimi i plotë
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në drejtim të masave ligjore të ndërmarra kundrejt disa shoqërive të mbledhjes së kredive në vonesë dhe individëve të lidhura me to në drejtim të praktikave jo-etike, apo më tej, të paligjshme të mbledhjes së detyrimeve të qytetarëve dhe bizneseve, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dëshiron ti referohet një njoftimi të saj për mediat, të publikuar në datë 19 korrik 2022 për të njëjtën çështje, dhe të ri sjellë në vëmendjen e publikut deklaratën sa më poshtë:

“Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dhe Anëtarët e saj i binden Kodit të Sjelljes dhe të Praktikave të Mira, miratuar me Vendim të posaçëm të Asamblesë së Anëtarëve, dhe në këtë kuadër nuk adoptojnë dhe as ndjekin praktika të paligjshme apo jo-etike në veprimtarinë e tyre. Cdo anëtar i kësaj Shoqate vepron në përputhje me kuadrin legjislativ dhe rregullator në fuqi, i konfirmuar nga licencimi dhe mbikëqyrja periodike e Bankës së Shqipërisë, dhe çdo shmangie nga ky kuadër adresohet me masa të posaçme ligjore ose administrative.

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dhe Anëtarët e saj distancohen me forcë nga Shoqëritë e Mbledhjes së Kredive, të cilat operojnë nëpërmjet praktikave jo-ligjore, jo-etike, korruptive. Institucionet e mikrokredise mbajnë të njëjtën licensë veprimtarie me shoqëritë e mbledhjes së borxhit, por duhet të kuptohet nga tregu që aktiviteti i tyre ndryshon dhe nuk është i njëjte.

Veprimtaria e Anëtarëve të Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare konsiston në kreditimin e individëve dhe bizneseve, dhe këto institucione nuk blejnë kredi të këqija nga asnjë bankë apo institucion tjetër kredidhenieje. Kredidhënia nga të gjithë Anëtaret kryhet në përputhje me kapacitetin ripagues dhe prirjen e çdo kredimarrësi për të zbatuar detyrimet kontraktuale.

E thënë kjo, ne marrim të gjitha masat të informojmë, dhe inkurajojmë të gjithë klientët tanë të informohen me detaje në lidhje me këto detyrime, si edhe me kushtet dhe termat e çdo kredie, përpara se të pranojnë detyrimin dhe ta marrin atë përsipër. Në të njëjtën mënyrë, përdoren të gjitha mjetet e komunikimit në dispozicion për të bërë me dije klientët mbi procesin që ndiqet kur kjo kredi nuk paguhet prej tyre. Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dhe Anëtarët e saj janë të vendosur të intensifikojnë përpjekjet e tyre në drejtim të edukimit financiar, përfshirjes financiare, ndihmës të shtresave në nevojë, eliminimin e hendekut gjinor në sipërmarrje dhe krijimit të vendeve të punës nëpërmjet sipërmarrjes, dhe do vijojnë të mbështesin ekonominë shqiptare nëpërmjet standardeve më të larta të ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Ne këtë kuadër, mirëpresim bashkëpunimin me çdo aktor të tregut që përfaqëson dhe mbron interesat e konsumatorëve, për të koordinuar këto përpjekje në të mire të konsumatorit shqiptar.

Në të njëjtën kohë, shprehim gatishmërinë tonë si aktorë aktivë në tregun e kredidhënies, që të bashkëpunojmë me autoritetet ligjvënëse dhe ligjzbatuese, ato qeveritare, rregullatore e mbikëqyrëse, për hartimin e një kuadri ligjor dhe rregullator sa më të plotë, i cili do të përcaktojë qartësisht proceset dhe procedurat e mbledhjes së huave dhe do të identifikojë saktësisht të gjithë aktorët e përfshirë, sipas të drejtave dhe detyrimeve, për të shmangur abuzimin, zhvatjen dhe keqpërdorimin e situatës së vështirë financiarë të qytetarëve, të cilat shkaktojnë probleme të thella ekonomiko-sociale në vend”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *