15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shqipëria bëhet me 5G vitin e ardhshëm

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Tomi Frashëri, deklaroi se nga viti i ardhshëm në Shqipëri do të nisë operimet teknologjia e rrjetit 5G. Gjatë prezantimit të raportit vjetor të këtij institucioni në Komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese Frashëri tha se fillimisht kjo teknologji do të nisë nga qytetet e mëdha të vendit.

“Aktualisht kemi nxjerrë në ankand brezin 3.5 gigahertz dhe ka interes për ta blerë nga operatorët që të përdoret në zhvillimin e shërbimit 5G. Vitin tjetër do të fillojë zbatimi, sigurisht që nuk do të kemi që nga 1 janari shërbim 5G në telefona, por mund të duhet pak më tepër kohë që të arrihet tek ajo, pasi rreth 6 muaj mund të kërkojë rregullimi i rrjetit nga operatorët. Kjo teknologji kërkon një investim shumë të madh financiar dhe fillimisht do të fillojë zbatimin në qytetet e mëdha të vendit, duke parë edhe sa mundet të përballojë brezi 3.5 megahertz, derisa të marrim nën administrim brezin 700 megahertz.”

Gjenerata e sistemeve celulare, e cila po zhvillohet aktualisht, rrit shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit te frekuencave.

I pyetur mbi abuzimet me çmimet e paketave, Frashëri u shpreh se dominimi i tregut nga vetëm dy operatorë mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të shërbimeve celulare. Megjithatë, kjo nuk është akoma e sigurt, pasi ky treg është akoma në proces monitorimi nga AKEP që prej bashkimit të dy operatorëve.

“Deri në vitin 2022 ka pasur ulje të madhe të çmimeve, ndërsa nga viti 2022 në 2023 është parë një tendencë rritjeje. Duopoli ka efekt në rritje çmimesh, por tregu është në zhvillim e sipër dhe duhet parë trendi. Ne po monitorojmë se çfarë sjell tregu me vetëm dy operatorë, por është shumë herët për të thënë diçka në lidhje me abuzimet. AKEP është vetëm entitet rregullator dhe nuk mund të ndërhyjë në tregun e lirë për të ndryshuar çmimet.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *