6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shqipëria cek numrin e 9 milionë turistëve të huaj

Numri i të huajve që kanë vizituar Shqipërinë ceku shifrën 9 milionë vetë në fund të muajit tetor. Shifra është bërë publike nga Instituti i Statistikave. “Gjatë dhjetëmujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.986.280. Ky numër është rritur me 32,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022,” raportoi INSTAT.

Të dhënat e detajuara tregojnë se pjesa dërrmuese e të huajve që hyjnë në Shqipëri raportojnë se qëllimi i vizitës së tyre është turizmi. Për dhjetëmujorin e këtij viti nga 8.9 milionë të huaj që hynë në total, rreth 8.5 milionë janë raportuar si turistë.

Fluksi i turistëve vazhdon të ruajë ecuri të fortë edhe pas përfundimit të sezonit. Sipas INSTAT, gjatë muajit tetor numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri mbi 691 mijë vetë me një rritje prej 90 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.

Sipas gjeografisë, turizmi në Shqipëri vazhdon të dominohet nga europianët dhe veçanërisht shtetasit nga Europa Jugore. “Në Tetor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 660 mijë shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 16.495 dhe 8.355 shtetasm” thotë INSTAT.

Shqipëria po përballet me një fluks të paprecedentë turistik, i cili mund të thyejë që këtë vit objektivin e 10 milionë turistëve të huaj. Vendi është duke marrë një vëmendje gjithmonë e më të madhe në arenën ndërkombëtare të turizmit, teksa nga shumë media këtë verë u cilësua dhe Maldivet e Europës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *