Sigurimi vullnetar i pasurive të paluajtshme është një prej zërave me rritjen më të shpejtë në tregun e sigurimeve për vitin e shkuar. Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2023 arritën rreth 8,917 milionë lekë, 12.03% më shumë se në vitin 2022.
Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.01% krahasuar me vitin 2022. Vetëm portofolet e Pronës, Përgjegjësive, Garancive gjatë vitit 2023 siguruan mbi 3,8 miliardë lekë të ardhura në total, apo afërisht 38 milionë euro, një shifër shumë e lartë krahasuar me vitet e mëparëshme. Vendin e parë në këto portofole e Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.40%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 25.90% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë vitit 2023, vihet re një rritje prej 15.73% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.79% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2022.
E megjithatë tregu mbeti edhe vitin e shkuar i orientuar fort nga sigurimet e detyrueshme. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.94% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.06% të totalit të tregut.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2023 arritën rreth 13,9 miliardë lekë, ose 6.94% më shumë se në vitin 2022, duke vijuar të mbeten përgjegjëse për peshën më të madhe në treg. Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2023, pati një rritje prej 8.20% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Scan Tv