15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Shtesat e kontratave të rrugëve si zgavër korrupsioni

Klodian Tomorri

Prej disa vitesh, tenderat publike të rrugëve janë përfshirë nga një epidemi masive. Është epidemia e shtesave ose modifikimit të kontratave.

Ligji i prokurimeve, lejon që për situata të paparashikuara, të cilat materializohet gjatë zbatimit të kontratës, autoritetet kontraktore të mund të shtojnë fondet deri në 20 për qind e vleres së kontrates fillestare për kompaninë private. Por ky është përjashtimi, jo norma.

Në tenderat e rrugëve, kjo po bëhet normë. Aktualisht është shumë e vështirë të gjesh ndonjë investim në rrugë, që ka përfunduar sipas vlerës fillestare të tenderuar. Shumica dërrmuese e tyre marrin shtesa kontrate gjatë zbatimit. Korçë-Ersekë, lotet e Kardhiqit, Unaza, etj etj…

Praktikisht shtesa me 20 per qind e kontratës në ARSH është bërë normë. Ajo që ligji e ka vendosur si përjashtim për rastet e paparashikuara po zbatohet thuajse në çdo kontratë. Kjo e bën Shqipërinë, vendin më të paparashikueshëm në botë.

Madje, ka raste që shtesa shkon deri në 40 per qind. Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta mori 4.5 milionë euro shtesë mbi vlerën e tenderuar me justifikimin se ishte projektuar gabim dhe nuk mbante dot peshen e trafikut.

A mos vallë ka lindur nevoja, që deputetët në Kuvendin e Shqipërisë të kërkojnë informacion nga ARRSH apo Ministria e Infrastrukturës. Sa është vlera e shtesave kontratave të akorduara gjatë 5 viteve të fundit? Në sa per qind të kontratave është zbatuar instrumenti i shtesës ose modifikimit në raport me totalin e kontratave?

Nëse del se instrumenti është përdorur në mbi 30 per qind të tenderave, atëherë nuk ka më përjashtim, por rregull. Më tej akoma këta tregues mund të krahasohen mes institucioneve të ngjashme.

Fjala vjen do ishte shumë interesante të krahasohej përdorimi i instrumentit të modifikimit/shtesës kontratës mes ARRSH dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Përshtypja është se tek Fondi ky instrument përdoret shumë më pak se sa tek ARRSH. Por kjo është përshtypje, ndaj deputetët duhet të kërkojnë të dhënat e detajuara nga institucionet sepse gazetarët i përcjellin dhe nuk u japin.

Është biznes shumë i madh ky, ku përfshihen zyrtarë, supervizorë, projektues, ndërtues. Dhe është një nga zgavrat më të mëdha të “sistemimit” të parasë publike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *