15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shteti në gjunjë/ Dallëndyshe Bici shpërfill kërkesën e ministrisë së Drejtësisë për numrin e pronave që ka tjetërsuar MCA

E alarmuar nga shpërthimi i skandalit të kredive, një muaj më parë ministria e Drejtësisë i nisi një shkresë urgjente disa institucioneve të shtetit, mes të cilave Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Sipas shkresave të firmosura nga zëvendësministri Klajd Karameta, Bankës së Shqipërisë i kërkohej marrja urgjent e masave për të bllokuar aktivitetin e Final dhe Micro Credit Albania, ndërsa Agjencisë Shtetërore të Kadastrës vënia në dispozicion e informacionit për numrin e pronave që kanë tjetërsuar këto dy shoqëri nga qytetarët shqiptarët.

Shkresa e ministrise se Drejtesise drejtuar Kadastres

Menjëherë pas kërkesës, Banka e Shqipërisë ktheu përgjigje përmes një shkresë të firmosur nga zv/guvernatorja Natasha Ahmetaj, ku nënvizoheshin masat që ishin marrë nga BSH ndaj subjektit Micro Credit Albania dhe justifikohej se pse nuk mund të revokohej liçenca.

Por ndonëse Banka e Shqipërisë reagoi, ndryshe ka ndodhur me Agjencinë e Kadastrës. Dallëndyshe Bici e ka shpërfillur totalisht kërkesën e ministrisë së Drejtësisë për të dërguar informacion lidhur me numrin e pronave që ka tjetërsuar deri më tani Micro Credit Albania. Një burim nga ministrisë së Drejtësisë i tha Kapitalit se deri më tani Kadastra nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Sipas të njëjtit burim, përballë kësaj situate Ulsi Manja ka urdhëruar stafin e tij, që të dërgojnë një tjetër kujtesë drejtuar Kadastrës për dërgimin e informacionit.

Dyshime për masakër
Një shkresë konfidenciale e Bankës Raiffeisen drejtuar ministrisë së Drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë i publikuar nga Kapitali, hedh dyshime të forta se Micro Credit Albania ka riaktivizuar sërish mekanizmin e tjetërsimit të pronave përmes praktikave të paligjshme në bashkëpunim me disa përmbarues.

Në shkresë Raiffeisen informonte ministrinë e Drejtësisë dhe BSH se pranë saj po mbërrinin mijëra urdhra bllokimi nga një përmbarues i lidhur me Micro Credit Albania, për të cilat banka dyshonte se janë të paligjshme duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë dhe Bankës Qëndrore.

Dyshimi është se në prag të mbylljes përfundimtare të aktivitetit dhe revokimit të liçencës, Micro Credit Albania po nxiton të marrë sa më shumë prona të qytetarëve duke i regjistruar në emrin e saj. Por përballë këtyre indicieve të forta, sërish institucionet e shtetit bëjnë ping-pong, si në rastin e Kadastrës, që refuzon madje edhe dhënien e informacionit, edhe pse bëhet fjalë për një skemë gjigande mashtrimi ndaj mijëra qytetarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *