12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Si qeveria keqpërdor fjalën “strategjik”

Irena Beqiraj 

Po ti referohemi fjalorit fjala “strategjik” ka të bëjë me identifikimin e synimeve dhe interesave afatgjata ose të përgjithshme dhe mjeteve për arritjen e tyre si edhe 2) me përfitimin e avantazhit të përgjithshëm edhe afatgjatë ushtarak.

Më kujtohet që në pranverën e 2017 në kuadër të Procesit të Berlinit BE kërkoi një listë të projekteve strategjike infrastukturore kombëtare, nga të gjithë vendet e ballkanit perëndimor. Ndërsa fqinjët tanë kishin në listë 13 apo 9 projekte të tilla një pjesë edhe pjesërisht të buxhetuara, në listën e projekteve strategjike kombëtare , që diskutoi Këshilli i lnvestimeve Strategjike , u futën 127 projekte.

Në mbledhjen ku merrja pjesë si dëgjuese askush nuk ishte në gjendje të argumentonte renditjen e tyre , pra kush ishte projekti i parë prioritar, edhe pse ai ishte i pari. Atë ditë në Këshill po diskutohej një “listë dëshirash ” edhe renditja e tyre mund të ndryshonte sa hap e mbyll sytë nga forca të ndryshme brenda edhe jashtë qeverisë. Shqipëria e vogël me 127 projekte strategjike infrastrukturore ja kishte kaluar edhe Kinës së madhe !

Ndërkohë për të njohur rëndësinë strategjike të të vetmit ishull që ka Shqipëria Sazanit ( ku qeveria kërkon të ndërtojë nje kompleks turistik me fondin e Kushnerit), ju drejtova një Gjenerali më eksperiencë i cili më shkroi: “Rëndësinë strategjike të Sazanit e tregon fakti se italianët u sfilitën që ta kishin. Sazani është territori i fundit që i është bashkuar Shqipërisë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Ushtarakisht konsiderohet si pika kyçe për kontrollin e Kanalit të Otrantos që është Porta e Adriatikut. Shqipëria është vend detar, edhe Sazani ka avantazh të përgjithshëm edhe afatgjatë ushtarak për sigurinë e vendit”.

Një qeveri e cila që ka në teritorrin e saj vetëm një ishull strategjik për sigurinë kombëtare, (I cili konsiderohet Porta e Adriatikut) kërkon ta nxjerrë atë nga plani i shpërndarjes ushtarake , për të ndërtuar një projekt privat strategjik.

Ndërkohë që e njëjta qeveri ju vë titullin “strategjike” qindra projekteve të cilat nuk është në gjendje ti rradhisë pasi nuk ka asnjë vlerësim për efektet e tyre në ekonomi e mjedis , ose nuk e kupton fjalën strategjik ose e keqpërdor atë.

“Për qëllime të mira ” duan të besojnë shumica e shoqërisë. Rruga për në ferr është e shtruar nga qëllimet e mira!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *