21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Si zhvaten psikologët nga Urdhri/ Tarifë 1500 euro për një trajnim thuajse të detyrueshëm

Dija kushton. Por tek Urdhri i Psikologut ta shesin më shtrenjtë edhe se sa në universitetet më të mira të botës. Kapitali.al publikon dokumenta që dëshmojnë skemën e zhvatjes përmes tarifave abuzive të ngritur nga Urdhri i Psikologut. Fotoja më poshtë tregon tarifat që duhet të paguajnë psikologët shqiptarë për trajnimin në fushën e drejtësisë dhe ccertifikimin si ekspertë vlerësues. Sic tregon dokumenti, kostoja e trajnimit është 145 mijë lekë ose rreth 1400 euro.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se një psikolog në Republikën e Shqipërisë paguhet mesatarisht 45-50 mijë lekë neto në muaj. Kjo do të thotë se vetëm për një trajnim në fushën e drejtësisë psikologët duhet të paguajnë një tarifë sat re rroga mujore.

Por nuk mbaron këtu. Kjo është një kosto që psikologëve u imponohet nga Urdhri thuajse me detyrim përmes masave shtrënguese.   
“Nëse nuk e bën trajnimin mund të përfundosh në Komision Etike ose mund të përballesh me një hakmarrje të paimagjinueshme,” i tha Kapitali.al një psikologe në kushtet e anonimatit.  

Për shkak të tarifave abuzive dhe mungesës së transparencës pak ditë më parë, qindra psikologë nga e gjithë Shqipëria thirrën Asamblenë e Jashtëzakonshme e Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë kërkuar nga 1/3 e të gjithë anëtarëve të Asamblesë.

Në përfundim të votimit të fshehtë u vendos shkarkimi me efekt të menjëhershëm i presidentes së Urdhrit të Psikologut të Republikës së Shqipërisë zonjës Valbona Treska:

“Procesi i votimit për shkarkimin nga detyra me efekt të menjëhershëm, presidentes së Urdhrit të Psikologut, nga shqyrtimi i dokumentit zgjedhor rezulton si vijon: Numri i pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme 386, numri total i votave 248, fletë votimi të vlefshme 204, të pavlefshme 44, nga numërimi i fletëve të vlefshme rezultuan votat si më poshtë, pro shkarkimit 204, kundër shkarkimit asnjë, abstenim asnjë në përfundim të numërimit shpallet rezultati, me 204 vota pro dhe asnjë votë kundër, presidenti i Urdhrit të Psikologut, zonja Valbona Treska, i bie që të shkarkohet nga detyra”, u tha gjatë vendimit.

Por zonja Treska nuk e njeh shkarkimin. Menjëherë pas Asamblesë ajo deklaroi se: ” bëri këtë reagim për vendimin e shkarkimit të saj:
“Duke qenë se po qarkullon nëpër media një lajm i rremë, se Presidentja e Urdhrit të Psikologut Znj. Valbona Treska është shkarkuar nga detyra, sqarojmë se: Presidentja e Urdhrit të Psikologut gëzon shëndet të plotë, ajo vijon të jetë në krye të institucionit së bashku me organet e tjera të tij, konform të gjitha parashikimeve ligjore në fuqi. Urdhri i Psikologut do të vijojë të përmbushë misionin e tij ligjor me përgjegjshmëri të plotë.”

Treska u zgjodh si presidente e parë e Urdhrit të Psikologut në 2017 nga Asambleja Themeluese. Ajo u rizgjodh në 2021 për një mandat tjetër 4-vjeçar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *