4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Sinjale për ngadalësim ekonomik, biznesi ul ndjeshëm konsumin e energjisë

Konsumi i energjisë elektrike u ul me 10.1 për qind në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sinjalizuar për ngadalësim të prodhimit vendas. Instituti i Statistikave raportoi se për periudhën Janar-Mars të këtij viti konsumi i energjisë në vend ishte 1595 Giga Wat nga 1755 Giga që ishte në tremujorin e parë të vitit 2022.

Të dhënat e detajuara tregojnë se pjesa më e madhe në uljen e konsumit të energjisë ka ardhur nga bizneset. “Ndikimin më të madh në rënien e përdorimit  të energjisë elektrike e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike me 13,6%, përkundrejt uljes me 7,2% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë,” raportoi Instat.

Konsumi i energjisë është i lidhur direkt me aktivitetin ekonomik. Rënia e konsumit me 13.6 për qind tek bizneset sinjalizon se ndërmarrjet mund të kenë rrudhur aktivitetin e tyre duke prodhuar më pak.

Rritet prodhimi vendas

Prodhimi i energjisë në vend u rrit me 38.3 për qind në tre mujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, teksa situata më e mirë hidrike i ka mundësuar si hidrocentraleve publike ashtu dhë privatëve të prodhojnë më shumë. Instituti i Statistikave raportoi se në tre muajt e parë të vitit Shqipëria prodhoi rreth 2788 Giga Wat energji nga 2016 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2022.

Sipas INSTAT, ky prodhim u realizua në masën 58 për qind nga hidrocentralet publike në pronësi të Korporatës Eleketroenergjetike Shqiptare, ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare dhanë 41,5 %. Pjesa tjetër ishte prodhim nga fotovoltaikët.

Prodhimi i lartë i energjisë në vend ka shmangur nevojën për të blerë energji nga jashtë. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të vitit importi bruto i energjisë elektrike ishte 246 GWh nga 715 GWh që ishte shifra në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një ulje me 2,9  herë. Nga ana tjetër eksporti i energjisë u rrit me 2.4 herë, nga 373 Giga në 904 Giga këtë vit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *