4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Skandali i mikrokredive kthehet në skandalin e mikrohetimeve

Ditët e fundit, në mediat elektronike u përhap me kujdes një lajm me burim zyrtar, por që në fakt nuk ishte i tillë, nga Prokuroria e Tiranës. Në adresat WhatsApp dhe elektronike të gazetarëve qarkulloi lajmi për zhbllokimin e mijëra llogarive bankare nga prokuroria, ku përfitonin viktimat e mashtrimit me mikrokredi. Nuk u kuptua nëse ishte një komunikatë zyrtare, urdhër apo vendim gjykate ose prokurorie; lajmi u përhap shpejt dhe u përthith nga publiku.

Asnjë dokument zyrtar nuk u publikua bashkë me lajmin; askush nuk kishte lexuar asgjë, vetëm citohej nga “burime”, sepse urdhri mbahej sekret. Nëse pyesje se si ndodhi ky çlirim kaq papritur kur hetimet nuk kishin përfunduar dhe nuk kishte asnjë seancë gjyqësore në horizont, merrje një ngritje supesh ose një koment si “shyqyr të paktën u liruan hallexhinjtë se prisnin prej vitesh…”.

Dokumenti “çlirues” i datës 26 gusht 2024, i firmosur nga Suela Salavaci, hap siparin e një skandali më të madh se ai i mikrokredive. Bëhet fjalë për hetimet maratonë që kanë shoqëruar për thuajse 5 vite skandalin e mikrokredive dhe që kthehen përsëri në pikën zero me një kërkesë populiste për të liruar llogari banke dhe jo prona.

Dokumenti i prokurorisë, që nuk është as urdhër, as vendim dhe as akt që delegohet nga gjykata, do të hyjë në analet e jurisprudencës shqiptare si një hibrid populist që synon të ndihmojë të varfrit.

Prokurorja Salavaci dërgon informacion te 11 banka, duke u kërkuar atyre të zbatojnë një udhëzim të dalë në vitin 2014 nga vetë Banka e Shqipërisë. Duket sikur bankat nuk e kanë lexuar udhëzimin nr. 2 datë 27.03.2014 të BSH-së dhe prokurorja po ua kujton. Meqenëse disa përmbaruesve u është revokuar licenca dhe udhëzimi thotë që sekuestrimet bien pas 10 ditësh, atëherë “hiqini sekuestrimet e vendosura mbi llogaritë e të gjithë qytetarëve (individëve)”.

Kur qenka kaq e thjeshtë, përse prokuroria ka pritur 4 vjet për të dërguar këtë kërkesë populiste, por ka torturuar mijëra qytetarë kot?

Dokumenti i organit akuzator firmosur në fund të gushtit, kur i gjithë sistemi i drejtësisë ishte me pushime, pa dashur hedh dritë mbi skandalin e hetimeve të zvarritura për 5 vjet.

Mashtruesit kanë një mendim unik kriminal, thotë prokuroria. Ata kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme; kanë përdorur presion psikologjik ndaj tyre; i kanë gënjyer duke fryrë detyrimet; kanë sekuestruar llogari bankare dhe prona në kundërshtim me ligjin; i kanë detyruar të marrin kredi të reja të fryra duke i gënjyer se po ristrukturojnë të vjetrat; kanë shitur dhe vjedhur pronat e qytetarëve që llogariten në dhjetëra miliona euro.

Nëse lexon dokumentin e prokurorisë, akuzat e renditura brenda tij të bëjnë të mendosh se një hetim i nisur këtë verë ka filluar të ravijëzohet me shpejtësi me prova dhe fakte, së bashku me autorë të vendosur para përgjegjësisë.

Por e vërteta është krejt ndryshe. Hetimi ka 5 vjet që sorollatet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës. Asnjë administrator i MCA-së ose Final-it nuk është ndaluar apo arrestuar. Asnjë noter, përmbarues, ekspert, bankier, zyrtar apo polic sekuestrues nuk është vendosur para masave ndaluese, siç është vendosur Sali Berisha apo Jamarbër Malltezi, pavarësisht se “mendimi unik kriminal” i ka bashkuar të gjithë për të mashtruar mijëra qytetarë të bllokuar 5 vite më parë.

Ecejaket shkresore mes Ministrisë së Drejtësisë, Bankës së Shqipërisë dhe Prokurorisë për të gjetur një zgjidhje jashtë përgjegjësisë penale janë të dukshme. Ato bëjnë “muuuuu” kur prokuroria i kërkon bankave të zbatojnë ligjin, ndërkohë që ajo ka një detyrë krejt tjetër: të “rrasë në burg” ata që nuk e kanë zbatuar atë.

Të gjithë bankierët, përmbaruesit, zyrtarët e ministrisë apo të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara kanë kaluar pushime të mira këtë verë, ndërsa mijëra njerëz janë torturuar me llogari dhe prona të marra peng nga skema e mikrokredive. Në përfundim të saj, me një akt surreal, prokuroria e abronzuar nga dielli i fortë i këtij sezoni lëshon një “lëmoshë” për të vobektët që kanë kaluar 5 stinë verore duke pritur, pikërisht në fundgushtin e pestë të tij.

A po i shpëton prokuroria viktimat e mikrokredive, apo po u jep edhe pak kohë mashtruesve me mendim unik kriminal të gjejnë zgjidhje të tjera oportuniste?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *