4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

SPAK akuzon ndërtuesin Fatmir Bektashi për korrupsion dhe larje parash

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur ndërtuesin Fatmir Bektashi me akuzën e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave në të ashtuquajturën dosja Partizani.

Përveç Bektashit, prokurorët e SPAK i komunikuan akuzë edhe biznesmenit Xhimi Begeja, një nga trashëgimtarët e tokës dhe bashkëortak me Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin në kompaninë Homeplan.

Xhimi Begeja ka qenë pjesë e hetimeve, por nuk është hetuar në masë sigurie, ndërsa Fatmir Bektashi është hetuar nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje”. Të dy biznesmenët u paraqitën në SPAK së bashku me avokatët e tyre për tu njohur me akuzën dhe provat dhe kanë 10 ditë afat për të paraqitur kundërshtitë e tyre për akuzat.

Pasi dolën nga SPAK, asnjëri prej biznesmenëve nuk pranoi të jepte prononcim për median.

Fatmir Bektashi është një nga ndërtuesit më të mëndhenj në Tiranë, i cili zotëron kompaninë Kontakt. Vitin e kaluar kjo kompani realizoi një faturim prej gati 18 milionë eurosh nga shitja e aparatamenteve duke regjistruar një fitim prej 1.4 milionë eurosh.

Një ditë më parë më 11 shtator, Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku u mor i pandehur për korrupsion pasiv. Po ashtu edhe dhëndri i rij Jamarbër Malltezi, u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Kreu i Partisë Demokratike i cilësoi akuzat si një sulm politik, i ngritur mbi gënjeshtra dhe prova të falsifikuara. Zoti Berisha tha se akuza është hartuar në zyrën e Ramës duke e cilësuar SPAK-un si prokurorinë private të kryeministrit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *