6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Stairway to The Sky Palace “vazhdon murin” e pallateve në ish-Bllok

“Stairway to The Sky Palace” është një nga projektet e shumta të pallateve shumëkatëshe që po zhvillohen në zonën e ish-Bllokut mbi vilat historike.

Projekti, i konceptuar nga Nicola Gilardi dhe Albana Koçollari, parashikon strukturë 13 katëshe banimi dhe shërbimesh anës rrugës “Brigada e VIII”.

Vendosur mes dy pallatesh ekzistuese, “Stariway to The Sky Palace” nisi të ndërtohej në shkurt 2020. Punimet janë parashikuar të zgjasin të paktën 5 vite.

Në koncept-ide struktura prezantohet si “vazhdim i murit urban të krijuar nga godinat ekzistuese” duke nënkuptuar këtu plotësimin me 13 kate pallat të një hapësire që deri katër vite më parë ishte e një vile historike trekatëshe me lulishte.

Projekti po zhvillohet nga kompania “Metro Design” e zotëruar nga Arjan Çukaj, një inxhinier ndërtimi, i cili së bashku me Ferid Sukajn në vitin 2006 themeloi Universitetin Metropolitan të Tiranës – njohur fillimisht si Future University of Tirana.

Çukaj njihet edhe për angazhimin politik krah Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në periudhën 2015-2019 ai ishte përfaqësues i kësaj partie në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Në ortakëri me Sukajn, apo dhe si investitor i vetëm, Çukaj rezulton të jetë investitor edhe i tre projekteve të tjera – Selvia Luxury Living, Twister Palace dhe Diamond Palace – ku njëri prej tyre po zhvillohet në rrugën “Moskat” krah selisë së Partisë së Lirisë, rreth 450 metra larg “Stairway to The Sky Palace”.

Përveç ndërtimeve, Çukaj është përfshirë si sipërmarrës edhe në sektorin e energjetikës dhe teknologjisë.

Historiku i zonës dhe vendit ku po ndërtohet

Zona – e njohur rëndomtë si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.

Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.

Fillimisht atje u vendosën familjet e sipërmarrësve, oficerëve, nëpunësve dhe zyrtarëve italianë.

Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.

Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe.

“Stairway to The Sky Palace” zuri vendin e një ish-vile trekatëshe të periudhës së italianëve, e cila deri në vitin 2020 përdorej nga Universiteti Metropolitan i Tiranës për zyrat qendrore të saj.

Citizens Channel 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *