E mërkura e 20 nëntorit është dita e fundit për të gjitha bizneset, të cilat kanë rezultuar si subjekte me risk në fushën e informalitetit të pagave, që të vetëdeklarojnë pagat e punonjësve. Administrata tatimore ka paralajmëruar më herët këto biznese se nëse kjo nuk ndodh do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi të vazhdueshëm në periudhën në vijim. Sipas tatimeve, deklarimi i pavërtetë i këtyre të dhënave përbën shmangie tatimore dhe kundravajtje administrative e penale.
Faza e parë parashikonte ndërgjegjësimin e bizneseve për të vetëdeklaruar pagat e për këtë qëllim, bizneseve iu dha kohë deri në datën 20 tetor.
Referuar të dhënave më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si rezultatet i fushatës këshilluese, 9.000 tatimpagues kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar në deklaratatat e listëpagesave të tyre, pas njoftimit të parë, duke rritur fondin e deklaruar të pagave me një total prej 1.25 miliard lekësh.
Gjithashtu për muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka arritur një rritje të ndjeshme në mbledhjen e kontributeve, duke grumbulluar 819 milionë lekë ose 6% më shumë se plani i parashikuar.
Pas rezultateve të arritura nga analiza e të gjitha listëpagesave të deklaruar në muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka identifikuar 37.331 tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave, ata të cilët pavarësisht njoftimit të parë nuk kishin reaguar. Pikërisht, për këta 37.331 tatimpagues afati përfundon ditën e sotme, në të kundërt do të jenë objekt kontrolli sipas ligjeve në fuqi.