14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Tatimet shtyjnë dorëzimin e certifikatave të pronësisë dhe kontratave të qirasë deri në 20 nëntor

Administrata Tatimore është detyruar të shtyjë me një muaj afatin, që detyronte të bizneset të dorëzojnë certifikatat e pronësisë ose kontratat e qirasë të vendushtrimit të aktivitetit. Sipas Tatimeve, shtyrja bëhet për t’u dhënë më shumë kohë bizneseve që të përmbushin këtë detyrim.

“Duke marrë shkas nga pyetjet dhe kërkesat e Tatimpaguesve, përcjellë në kanalet zyrtare të komunikimit, Administrata Tatimore ka vendosur shtyrjen e afatit të dorëzimit të të dhënave të pronësisë dhe kontratës së qirasë për vendushtrimin e aktivitetit ekonomik në e-Filing deri më 20 nëntor 2024,” thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Fillimisht afati për dorëzimin e dokumentave të pronësise ose kontratave të qirasë ishte vendosur data 20 tetor. Administrata Tatimore bën me dije se gjatë këtyre ditëve do të vijojë punën për përmirësimin e modulit për ta bërë më të thjeshtë deklarimin për tatimpaguesit, ndërkohë që ata vetë do të duhet të përditësojnë informacionin e kërkuar, duke ndjekur 5 hapat si më poshtë vijon:

•     Klikoni në seksionin e-Filing Im
•     Klikoni Profili Im në listën e shfaqur
•     Në seksionin në të majtë, “Detajet e Tatimpaguesit”, klikoni tek Adresa
•     Në seksionin Adresa Kryesore që do të shfaqet klikoni në logon e shtëpizës
•     Në tabelën që shfaqet do të plotësoni të dhënat që kërkohen te “Detajet e objektit ku ushtrohet aktiviteti” dhe ngarkoni vërtetimin e pronësisë ose kontratën e qirasë

Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale në e-Filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, për adresën kryesore si dhe çdo adresë sekondare, nëse ka të tilla. Ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të Tatimit në Burim si dhe për krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.

Depozitimi i të dhënave si më lart përmendur bazohet në kërkesat e Ligjit “Për Procedurat Tatimore në RSH”, neni 23, pika 1.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *