21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Të huajt zotërojnë 1.5 miliardë euro prona në Shqipëri

Në fund të vitit 2017, vlera e pronave që zotëroheshin nga shtetasit e huaj në Shqipëri ishte më pak se 250 milionë euro. Por në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, vlera tregtare e pronave që të huajt kanë blerë në Shqipëri arriti në gati 1 miliardë e gjysmë euro.

Rritja me gati 7 herë e stokut të investimeve që të huajt mbajnë në pasuri të patundshme në Shqipëri, konfirmon një tendencë tashmë të konsoliduar. Tregu imobiliar po shndërrohet me shpejtësi në “hot spotin” e investimeve që Shqipëria tërheq nga jashtë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, vetëm për periudhën Korrik-Shtator të këtij viti shtetasit e huaj blenë 95 milionë euro prona në Shqipëri, ndërsa në total si 9 mujor vlera e pronave të blerë nga të huajt rezulton mbi 220 milionë euro.

Shifrat tregojnë se veçanërisht në dy vitet e fundit, jo rezidentët janë duke blerë mesatarisht 300 milionë euro pasuri të patundshme në vit në territorin shqiptar. Sigurisht që zonat më të preferuara janë kryeqyteti dhe veçanërisht bregdeti.

Për shkak të çmimeve më të ulëta krahasuar me vendet e tjera, por edhe si pasojë e rritjes së vrullshme të turizmit, të huajt po blejnë gjithmonë e më shumë prona në Shqipëri.

Por kjo rritje e madhe e kërkesës nga jashtë për apartamente dhe vila në Shqipëri, ndonëse rrit biznesin e ndërtuesve, nuk është pa pasoja për qytetarët.  Ajo çon në rritjen e shpejtë të çmimeve për ndërtimet rezidenciale duke e bërë gjithmonë e më të vështirë strehimin e popullsisë lokale.

Ky është një fenomen klasik për vendet me turizëm masiv. Pak javë më parë qeveria e Portugalisë u detyrua të miratonte një paketë të gjerë masash për të kufizuar blerjen e pronave nga të huajt, por edhe dhënien e tyre me qira afatshkurtër përmes AIRBNB, për shkak të gjendjes emergjente të krijuar me strehimin e popullsisë vendase. (Lexo këtu).

Shqipëria është një nga vendet me raportin më problematik mes të ardhurave mesatare dhe çmimeve të apartamenteve. Dyndja e të huajve në sektorin e pasurive të patundshme do ta përkeqësojë edhe më shumë këtë raport duke e bërë gjithmonë e më të vështirë për shqiptarin mesatar mundësinë e strehimit.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *