19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Telecom Egypt dhe 4iG propozojnë kabllon nënujore Egjipt-Shqipëri

Një investim gjigand, i cili do ta shndërronte Shqipërinë në një nyje teknologjike për Europën. Telecom Egypt, një nga operatorët më të mëdhenj të kabllove nënujore në rajonin e tij, dhe 4iG, një grup telekomunikacioni dhe IT me bazë në Budapest, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të lidhur Egjiptin dhe Shqipërinë nëpërmjet një kabllo nënujore me kapacitet të lartë trafiku për transmetimin e internetit.

Me një model aksesi të hapur dhe njësi të shumta degëzimi, sistemi është ngritur, thonë partnerët, për të qenë një pikë e re hyrëse kabllore evropiane me një kalim tjetër tranziti nga rrugët tashmë ekzistuese të Mesdheut në pikën kryesore të pranisë së internetit.

Të dy kompanitë thonë se synojnë të fitojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe në rritje të shpejtë për trafikun e internetit midis Evropës dhe Azisë, si dhe midis Evropës dhe Afrikës Lindore.

Për më tepër, marrëveshja i mundëson 4iG Group të hyjë si një lojtar i ri në tregun e infrastrukturës ndërkontinentale të transmetimit të të dhënave midis Evropës dhe Azisë, dhe Evropës dhe Afrikës Lindore.

Vendndodhja strategjike e Shqipërisë, shpjegojnë partnerët, e bën atë një portë dhe pikë hyrëse të spikatur në Evropën Lindore. I mbështetur me një infrastrukturë tokësore të siguruar ndërkufitare, ai do të lehtësojë lidhjen e mëtejshme dhe aksesin në destinacione të ndryshme kryesore.

Mohamed Nasr, Drejtor Menaxhues dhe Kryeshefi Ekzekutiv në Telecom Egypt, thotë: “Ne jemi të kënaqur që bashkëpunojmë me 4iG, e cila krijon terrenin për shtimin e një pike të re të larmishme hyrjeje në Evropë, duke lehtësuar drejtimin e trafikut afrikan dhe aziatik në pikat kryesore të pranisë në Evropë. Kjo shkon në përputhje me strategjinë e Telecom Egypt për të diversifikuar opsionet e kalimit të pellgut të Mesdheut përmes rrugëve të hapura dhe elastike nga Egjipti në Evropë për të rritur opsionet e lidhjes së partnerëve tanë.

Trafiku
Aktualisht Shqipëria ka dy lidhje në rrjetin botëror të internetit. E para është kabllo nënujore me Italinë e ndërtuar nga Telecom Italia dhe Albtelekomi shqiptar, në kohën kur këto të dyja ishin ende kompania shtetërore. Por kjo fibër është ndërtuar para shumë vitesh me teknologji të kohës së atëhershme dhe nuk ka kapacitet të lartë transmetimi. Rruga e dytë është ajo tokësore me Greqinë, që zotërohet nga kompania shqiptare ATU.

Projekti i Telecom Egypt me 4iG synon të shtojë një kabllo me kapacitet lartë për transmetimin e internetit super të shpejtë, jo vetëm për nevojat e Shqipërisë, por për të gjithë rajonin. Synimi është që kjo infrastrukturë të jetë një nga rrugët kryesore të transmetimit të internetit në Europë, prej nga do të lidhen vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë.

Edhe pse projekti ndodhet herën në fazë të hershme, në nivelin e Memorandumit të Mirëkuptimit, realizimi i tij do ta shndërronte Shqipërinë në një nga qendrat më të fuqishme europiane të internetit dhe do të afronte kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë. Burime thanë për Kapitali.al se bëhet fjalë për një investim gjigant, por të cilin dy kompanitë janë shumë ta angazhuara që ta realizojnë për shkak të përfitueshmërisë së madhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *