6 Dhjetor, 2023
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tenderi 10 mln euro i Ujësjellësit Tiranë, Gjici e fitoi me “Marrëveshje të ndaluar”

Nga Boldnews.al

Një tender me vlerë rreth 10 milionë euro për vendosjen e kamerave në depot e Ujësjellësit të Tiranës, është fituar nga një grup operatorësh, të cilët kanë vepruar në kushtet e “Marrëveshjes së ndaluar”, në shkelje flagrante të ligjit për Konkurencën.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se ka “vërtetuar katërcipërisht se operatorët ekonomik, kanë përdorur skemën e marrëveshjeve te ndaluara, duke rënë dakord që me përpara që të mos paraqiten secili më vehte në procesin e prokurimit, por të gjithë së bashku, si bashkim operatorësh”.

Ky konstatim është publikuar në raportin e auditit të përfunduar në Prill 2023 në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë dhe të publikuar së fundmi.

KLSH konstaton gjithashtu se institucionit kontraktor i tenderit 10 milionë euro, pra Ujësjellësi në varësi të Tiranës, kishte detyrimin që ta referonte rastin pranë Autoritetit të Konkurencës, para se të shpallte rezultatin. Por, një veprim i tillë nuk është kryer nga vartësit e Veliajt, duke i dhënë udhë një procedure tenderuese me shkelje flagrante ligjore.

Tenderi 10 mln euro

Në janar të vitit 2021, Ujësjellësi i Tiranës shpalli tenderin me objekt “Shërbime të integruara dhe furnizim vendosje të pajisjeve elektronike”. Fondi limit për këtë procedurë ishte 999.800.000 lekë të reja ose rreth 10 milionë euro së bashku me TVSH.

Tenderi i mbyll dy muaj më pas, në Mars 2021. Procedura u fitua nga bashkim prej 5 operatorësh, ku rolin kryesor e kishte shoqëria ‘Euro-Gjici” e krijuar nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, të cilën në vitin 2014 ia dhuroi vëllait të tij, Lavdimir Gjici.

Së bashku me kompaninë e familjes Gjici, në grupin e fituesve ishin edhe shoqëritë “Global Security”, “Everest”, “PC Security” dhe “Elektrosek”.

“Boldnews.al” ka ngritur shumë herët dyshimet për këtë tender, në një raportim të publikuar në Prill të vitit 2021.

Tenderi gjigand u mbyll vetëm pak javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, ku Partia Socialiste, në të cilën militon edhe Safet Gjic, fitoi mandatin e tretë qeverisës. Ky prokurim, si edhe një dyzinë të tjera, kanë qenë objekt i auditimit të zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku janë zbuluar një seri e gjatë shkeljesh të rënda ligjore.

Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë:

– Kompania “Firdeus Security”, i cili nuk ka paraqitur asnjë dokument, përveç bilancit të vitit 2018, as dhe ofertë ekonomike;

– Bashkimi i operatorëve “Global Security” sh.p.k & “Eurogjici Security” sh.p.k & ”Everest” sh.p.k & ”PC Security” sh.p.k & ”Elektrosek” sh.p.k, në vlerën 989.172.392 lekë ose 99 përqind të fondit limit.

KLSH ka konstatuar se “referuar të dhënave, disa nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedure prokurimi, ndonëse paraqesin oferta për vlerësimin e tregut secila më vehte, në procesin e realizimit të procedurës marrin pjesë si bashkim operatoresh ekonomike, duke bërë të mundur mospasjen e konkurrencës në tender.

Kështu, nga 5 operatorë ekonomik pjesëmarrës në këtë procedurë, 4 janë paraqitur bashkërisht ndërsa njëri ka paraqitur vetëm një dokument”. Referuar kësaj situate, Kontrolli i Lartë i Shtetit konkludon se “vërtetohet katërcipërisht se operatorët ekonomik, kanë përdorur skemën e marrëveshjeve te ndaluara, duke rënë dakord që me përpara që të mos paraqiten secili më vehte në procesin e prokurimit, por të gjithë së bashku, si bashkim operatorësh”.

Në vijim, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se, drejtuesit e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës kanë pasur detyrë për t’ia bërë prezent këtë situatë Autoritetit të Konkurencës, “për të maksimizuar e efiçencën, nxitjen e pjesëmarrjes dhe konkurrencës në procedurat e shërbimeve të integruara…”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *