Kriza e eksporteve shqiptare nuk ndalet. Instituti i Statistikave raportoi se eksportet e mallrave nga Shqipëria u tkurrën me 21.8 për qind në muajin nëntor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas INSTAT për muajin e kaluar, Shqipëria eksportoi 33 mld lekë nga 42 miliardë që eksportoi nëntorin e vitit të kaluar.
Të dhënat e detajuara tregojnë se në nëntor kanë shënuar rënie eksportesh të gjitha grupet e mallrave, përveç produkteve kimike dhe plastike. Por rënia më e fortë është regjistruar për materialet e ndërtimit me -26,6% dhe prodhimet e drurit 21%
Në total si 11 mujor, shitjet e kompanive shqiptare jashtë janë ulur me 10 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndër grupet që kanë dhënë ndikimin më të madh në këtë rënie janë “Materiale ndërtimi dhe metale” me -26.6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,8 pikë përqindje, etj, “produktet Kimike dhe Plastike” me -9,9 pike %, “Prodhime Druri” me -21.3 pikë %, teksa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +10 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje.
Eksportet e grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kishin filluar të rriteshin vrullshëm gjatë dy viteve paraardhëse si pasojë e investimeve në industrinë automotive. Por këtë vit edhe ky sektor po përballet me stanjacionin e shitjeve jashtë si pasojë e efektit negativ që vjen nga kursi i këmbimit duke shënuar një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.2 për qind në terma vjetor.