Autostrada Tiranë – Durrës do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi. Detajet u bënë me dije nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë diskutimit të buxhetit të investimeve për vitin e ardhshëm në komisionet parlamentare.
Edhe pse në projektbuxhet nuk ka asnjë fond të akorduar për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës, Balluku vijon të këmbëngul se investimi do të fillojë vitin e ardhshëm.
Paralelisht, ministrja e Infrastrukturës bëri me dije se në muajin dhjetor rihapet gara e koncesionit për aksin Milot – Balldren.
Ndërkaq, një projekt rrugor që pritet të sjellë lehtësim të trafikut është bypassi i Tiranës, për të cilin do të nisë buxhetimi në vitin 2024.
Ministrja foli edhe për ecurinë e një sërë projektesh të tjerë rrugorë, duke theksuar se Unaza e Madhe e Tiranës dorëzohet në fund të viti 2024. Sa i takon aksit Qukës – Qafë Plloçë loti I dhe II ka një vaancim të punimeve në masën 80% dhe 77 %, ndërsa loti III në masën 40%, duke parashikuar që hapja e plotë për qarkullimin e automjeteve do të bëhet në vitin 2025.