30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Topuzi: Ndaloni ndërtimin e vilave në bregdet

Kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, Zak Topuzi i ftuar në MCN Live, deklaroi se ndërimi masiv i vilave në bregdet po dëmton sektorin e turizmit.

“Isha në Hamallaj ku shikoja kilometra me vila dhe shumë pak turista, ndërkohë në Golem e kundërta. Nëse do vazhdojmë këtë politikë ku tokat jepen për të ndërtuar vila atëherë do mbetemi kështu si jemi,” tha Topuzi.

Sipas Topuzit dhënia e lejeve për ndërtimin e vilave në zonat bregdetare është sot një nga problematikat më të mprehta për sektorin e turizmit, pasi kjo do të reduktojë numrin e turistëve.

“Nëse pretendohet që Shqipëria të ketë një turizëm elitar duhet krijuar ambienti i tillë. Nuk mund të flitet për turizëm elitar kur ndërkohë vazhdojnë të derdhen në det ujerat e zeza, kur nuk ka një infrastrukture,” shtoi ai.

Sezoni turistik

Qeveria shqiptare ka miratuar një sërë fshatrash turistikë përgjatë zonave bregdetare të vendit, të cilët kryesisht përbëhen nga vila private. Madje në shumë raste, bizneset që ndërtojnë këto vila marrin edhe statusin e investitorit strategjik duke përfituar tokën shtetërore falas.

Rasti më tipik është ai i Marinës së Durrësit, ku kompania arabe që përfitoi 80 hektarë tokë shtetërore falas do të ndërtojë aty 1.5 miliona metra katrorë ndërtim, nga të cilat vetëm 3.8 për qind do të jenë për hotele, ndërsa pjesa tjetër do të jenë vila dhe apartamente banimi. Por edhe në projektet e tjera të turizmit të klasifikuara si strategjike, që realizohen nga investitorët vendas, është e njëjta situatë.  

Dhënia e tokës falas për ndërtim vilash private, të cilat nuk japin asnjë vlerë të shtuar në sektorin e turizmit, por përkundrazi e dëmtojnë atë, konsiderohet si një nga pikat më problematike të ligjit për investimet strategjike.

Tashmë ky fenomen duket se ka shqetësuar dhe operatorët turistikë, të cilët po parlajmërojnë se shpërdorimi i tokave bregdetare për ndërtim vilash dhe jo për të ndërtuar hotele që presin turistë do të dëmtojë sektorin.

Shqipëria po përballet me një rritje të shpejtë të numrit të turistëve. “Prenotimet janë të larta pavarësisht kushteve të motit. Mbi 80% e pushimeve janë pronotuar më herët dhe ky është një tregues që premton. Do kemi një sezon shumë më të mirë se herët e tjera,” deklaroi Topuzi.

Por shqetësim mbeten kapacitet akomoduese të vendit. Pavarësisht ndërtimit të hoteleve gjatë viteve të fundit, Shqipëria numëron aktualisht vetëm 100 mijë shtretër, që janë shumë pak për një vend, i cili kërkon të përfitojë nga sektori i turizmit. Paralelisht vendi përballet me një paradoks, ku numri i raportuar i turistëve është dy herë më i lartë se netë qëndrimet e deklaruara nga hotelet.

 

Marrë nga MCN.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *