25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Turizmi, basti afatshkurtër i zhvillimit ekonomik!

Irena Beqiraj

“Unë nuk jam këtu për t’i bërë të gjithë të lumtur, por për të përmirësuar cilësinë e jetës në këtë qytet. Disa nga linjat e lundrimit nuk do të jenë dakord me atë që po them, por qëllimi im kryesor është të siguroj turizëm cilësor dhe nuk mund ta bëj këtë, duke e mbajtur situatën kështu siç është.

“Duke ulur numrin e turistëve ne padyshim do të humbasim para në dy vitet e ardhshme – ndoshta më shumë se 1 milion euro në muaj – por në të ardhmen do të fitojmë shumë më tepër. Ne meritojmë të jemi një destinacion cilësor turistik”

Këto janë fjalët e kryetarit të bashkisë së Dubrovnik, Frankovic, i cili kur fitoi zgjedhjet në Qershor të 2016 planifikonte të zvogëlonte numrin e turisëve në Dubrovnik me qëllim që ta kthente qytetin nga një destinacion i turizmit masiv në një destiancion të turizmit cilësor”.

M’u kujtua ky episod ndërsa sot në 2023 shumica e analistëve dhe politikëbërësve në Shqipëri e konsiderojnë fluksin e lartë dhe në rritje të turistëve në vend, si shtytësin kryesor të ekonomisë .
Duhet pranuar që ka pak opinione dhe politika të informuara në këtë vend sepse ka relativisht pak studime të cilat të vlerësojnë plotësisht ndikimin e turizmit në ekonominë tonë, si në aspektin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.

Sot themi që turizmi është një sketori i rëndësishëm sepse ai prodhon direkt 8% të PBB -së . Por nga këndvështrimi i matjejeve, kontributi neto i sektorit të turizmit në ekonomi është i ndryshëm nga pesha që ai zë në Prodhimin e Brendëshëm Bruto. Në vende të ngjajshme me Shqipërinë ,ku turizmi është masiv ku sezonaliteti është i lartë, ku akomodimi i përket kyresisht segmentit me vlerë të shtuar të ulët, ku niveli shpenzimeve ditore nga një turist mbi të ardhurat për frymë, është po ashtu i ulët, edhe ku operatorët elitarë janë kryesisht me pronësi të huaj, efekti neto i turizmit në ekonomi ka qënë jo adekuat, edhe i pa mjaftueshëm.

Rritja e ofertave të udhëtimeve edhe strehimit me kosto të ulët kanë ndihmuar në lulëzimin e turizmit masiv . Sot të jesh një desitinacion i njohur është kthyer në një problem, më shumë sesa në një burim ekonomik. Dubrovik, Barcelona Venecia kanë përjetuar këtë “mallkim“ në dekadat e fundit. Pikërisht për shkak të të qenit destinacione turistike shumë të kërkuara ato kanë përjetuar një rritje në kosto të jetës, rritje të kostove të strehimit, mungesë të hapsirave për të rinjtë por mbi të gjitha mugesë të ofertës për një punësimin cilësor përtej shërbimit.

Ndërsa në afat të gjatë pikëpyetjet që ngre varësia nga turizimi si sektor prioritar janë edhe më të mëdha.
Nëse Shqipëria arriti statusin e vendit me të ardhura të mesme për frymë në vitin 2008, fqinji ynë Greqia e arriti këtë satus në vitin 1972. Ju deshën plot 28 vjet që në vitin 2000 të arrinte në statusin e vendit me të ardhura të larta , status të cilin nuk e mbajti për kohë të gjatë pasi në 2007 Greqia u zhyt sërisht në “kurthin” e vendit me të ardhura të mesme për frymë.
Ka 51 vjet “përpjekje” që fqinji ynë nuk del dot nga “kurthi i të ardhurave të mesme për frymë” edhe ekonomistët mendojnë që varësia nga të ardhuat e turizimit i cili zë 21% të PBB-së ka sjellë efektin e padëshirueshëm të largimit nga sektorë të tjerë edhe më produktivë dhe madje ka influencuar shumë në procesin deindustrializimit. Ka një sërë arsyesh pse politikëbërësit duhet të shqetësohen për deindustrializimin. Një ekonomi shërbimesh i drejton përfitimet në disa grupe dhe rajone specifike, duke nxitur kështu një zhvillim dispropocional ekonomik. Një ekonomi shërbimesh i largon burimet nga sektorët me produktivitet të lartë të cilat kërkojnë aftësi dhe njohuri intensive, duke ndikuar kështu në cilësinë e arsimit ,punësimit dhe rrjedhimisht në mirëqënie.
Ndaj jo fare rasësisht sipas Indeksit të Kompleksitetit Ekonomik, të zhvilluar nga Ricardo Hausmann dhe kolegët në Universitetin e Harvardit, Greqia është e fundit në Europë.
Vendet si Greqia të cilat kanë ushqyer iluzionin se do rriten nga turizmi, i cili duam apo nuk duam është sektor me produktivitet të ulët dhe me kosto të larta mjedisore nuk kanë siguruar dot rritje të qëndrueshme afatgjatë ,punësim cilësor edhe mirëqënie duke mbetur për dekada të tëra vende me të adhura të mesme për frymë.
Madje studimet epirike tregojnë që nësë sektori turistik në një ekonomi relativisht të vogël arrin më shumë se 12% të PPB, ai ka gjasa të largojë përfundimisht politikë-bërjen nga nevoja për zhvillimin e sektorëve të tjerë produktivë.

Sot më shumë se të gëzohemi për 8 milion turistë që harxhojnë masatarisht 60 euro në ditë në Shqipëri, edhe prodhojnë cdo ditë 1,6 kg mbetje secili duhet të kuptojmë edhe pranojmë se turizimi që po zhvillojmë është një bast afatshkurër zhvillimor .

Nëse duam të flasim për turizmin duhet të flasim për turizmin cilësor, edhe nëse duam të flasim për mirëqënie turizmi nuk mjafton . Na duhet të krijojmë një ekonomi dinamike të diversifikuar në sektorë produktive të cilët ofrojnë produkte edhe shërbime të sofistikua.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *