14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Turizmi dhe dërgesat e emigrantëve përgjysmojnë defiçitin korrent

Defiçiti i llogarisë korrente, treguesi që mat hyrjet dhe daljet e valutës në vend, u ul me 46 për qind në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Të dhënat zyrtare nga Bilanci i Pagesave tregojnë se në periudhën Janar-Mars, ekonomia shqiptare regjistroi një deficit korrent prej 135 milionë eurosh nga 249.9 milionë euro që ishte shifra në tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë ka ardhur kryesisht nga të hyrat e udhëtimeve dhe dërgesat që emigrantët sjellin në familjet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë ekonomia shqiptare përfitoi 434.5 milionë euro nga turizmi ose 111 milionë euro më shumë se tremujori i parë i vitit të kaluar.

Nga ana tjetër dërgesat e emigrantëve u rritën në 213.6 milionë euro nga 184 milionë euro që ishin për Janar-Mars 2022. Ndërsa investimet e huaja direkte, një tregues jashtë llogarisë korrente, në tremujorin e parë rezultuan 308 milionë euro nga 302 milionë që ishin vitin e kaluar.

Përmirësimi i llogarisë korrente shton presionet për forcimin e mëtejshëm të lekut, veçanërisht ndaj euros, pasi vendit i duhet më pak valutë për të finacuar nevojat e tij tregtare dhe ato të shërbimeve nga jashtë.

Gjatë muajve të fundit euro është zhvlerësuar me shpejtësi ndaj lekut duke u kuotuar poshtë kuotës 106 lekë ose gati 10 lekë më pak se tre muaj më parë.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *