23 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Várhelyi në Tiranë për fondet e BE-së dhe rritjen ekonomike

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi do të jetë në Mal të Zi dhe Shqipëri këtë javë, nga e marta, 27 shkurt deri të enjten, 29 shkurt për të vazhduar diskutimet mbi reformat kyçe të nevojshme për të aksesuar financimin sipas Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe përparimin në rrugën e tyre drejt BE-së.

Në Mal të Zi, Komisioneri Várhelyi do të ketë një sërë takimesh dypalëshe, duke përfshirë me Presidentin Jakov Milatoviç, Kryeministrin Milojko Spajić dhe deputetë të Parlamentit. Diskutimet do të fokusohen në përparimin që Mali i Zi duhet të bëjë në fushën e sundimit të ligjit për të kaluar në fazën tjetër të procesit të tij të pranimit, për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave. Diskutimet do të jenë një vazhdim i rëndësishëm i Konferencës së Anëtarësimit me vendin, të mbajtur më 29 janar në Bruksel, në një kohë kur qeveria e re e vendit ka ripërtërirë angazhimin për t’i dhënë përparësi reformave në lidhje me BE-në.

Komisioneri Várhelyi do të udhëtojë më pas në Tiranë për të marrë pjesë në një samit rajonal mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i prezantuar nga Komisioni Evropian në nëntor për të përshpejtuar ndjeshëm konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në duke thelluar integrimin rajonal përmes tregut të përbashkët rajonal dhe duke e sjellë gradualisht Ballkanin Perëndimor në fusha kyçe të tregut të përbashkët të BE-së. Por për të korrur paraprakisht përfitimet e anëtarësimit, duhet të kryhen reformat e nevojshme, veçanërisht në prokurimin publik, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Këto reforma janë të nevojshme për të tërhequr investime private dhe për të shpejtuar rritjen ekonomike.

Duke bashkuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ky samit i dytë do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Ky Plan i ri i Rritjes plotëson Planin Ekonomik dhe Investues (EIP) të miratuar në vitin 2020, i cili synon të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime në rajon, duke përfshirë 9 miliardë euro në subvencione evropiane. Deri më sot, BE-ja ka mobilizuar tashmë 16.3 miliardë euro investime, përfshirë 4.5 miliardë euro në subvencione.

Një ditë më parë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi se për të arritur nivelin e mirëqënies së Bashkimit Europian, vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u duhen të paktën 70 vjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *