Mësuesit mund të përdorin forcën, nëse qëllimi është të ndajnë fëmijët që zihen ose janë duke u rrahur në klasë. Vendimi është marrë nga Gjykata e Kasacionit në Itali duke iu referuar një rasti të ndodhur në shkollat italiane.
Më parë gjykata e Apelit kishte vendosur të dënojë mësuesen. Sipas apelit, ajo kishte qenë shumë e dhunshme duke kapur nga krahu një fëmijë të përfshirë në mosmarrëveshje me shokët e tjerë të klasës, për ta tërhequr zvarrë nga klasa. Për pasojë fëmija ishte rrëzuar dhe madje kishte filluar të ccalonte si rezultat i rënies. Kaq mjaftoi që mësuesja të paditej dhe dënohej.
Në fakt, Gjykata e Apelit kishte pranuar në vendim se ndërhyrja për të parandaluar të miturit që të rrezikojnë sigurinë e tyre gjatë një zënke apo loje është pjesë e detyrave institucionale të mësuesit, por veprimi, i cili mund të përfshijë edhe “detyrimin fizik” duhet të kalibrohet.
Përdorimi i forcës
Prandaj, forca duhet të përdoret “brenda kufijve rreptësisht të nevojshëm për qëllimin”. Megjithatë, në rastin konkret, sipas gjykimit të Gjykatës së Apelit, “forca e ushtruar nga mësuesi” kishte tejkaluar kufijtë e lejuar, me rrezikun që fëmija të lëndohej.
Por Gjykata e Kasacionit ka një mendim tjetër duke a anuluar dënimin. Sipas Kasacionit, krimi duhet të përfshijë edhe keqdashjen, element që sigurisht nuk ka qenë i pranishëm në rastin konkret. Gjyqtarët e legjitimitetit përjashtojnë që forca fizike, edhe pse konsiderohet e tepruar, është e mjaftueshme për të shkaktuar krimin, kur qëllimi plotësisht legjitim ishte të ndaheshin nxënësit e shkollës gjithnjë e më të acaruar dhe të shmangej një përshkallëzim i sherrit.