Me datën 8 nëntor Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e ligjit për trajtimin e pronës.
Por cili është impakti i këtij vendimi në procesin e trajtimit të pronës?
“Akoma nuk kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në dispozicion që të shohim se cilat kanë qenë ato pika mbi të cilat është marrë vendimi. Pasojat janë të mëdha për të shpronësuarit pasi ne kishim dosje që kishin filluar në trajtim për subjekte që kishin aplikuar në Agjencinë e Kadastrës për të marrë rikonfirmimet e statuseve juridike që nga ky vendim do të mbeten pezull. Pezull na mbetet edhe rishqyrtimi i dosjeve ku afati është deri në dhjetor 2024. Këto janë disa nga pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetues, e gjithsesi shpresojmë që Gjykata të këtë një vendimarrje sa më të shpejtë që t’i hapë rrugë procesit të trajtimit të pronës që është një nga proceset më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë” deklaroi kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronës, Geraldo Durdaj
Duke folur në SCAN Live pas vendimit të Gjykatës, Durdaj analizoi dhe më tej ecurinë e procesit, duke vënë theksin te objektivat kohorë të përfundimit të procesit të kompensimit financiar dhe fizik të të shpronësuarve.
“Ligji 77 i vitit 2022 i ka të përcaktuara afatet për mbylljen e procedurave të kompensimit të subjekteve të shpronësuar që është dhjetori i 2026 dhe për dosjet që janë në shqyrtim është dhjetori i 2024 që do të përfundojë me njohjen ose jo të dosjeve që kemi në shqyrtim që janë rreth 9 mijë dosje” tha Durdaj.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Komunitetit Musliman të Shqipërisë që kërkonte shfuqizimin e pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në fund të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike dhe pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit në fjalë.
Komuniteti Musliman ka kundërshtuar ndryshimet e vitit 2022 në ligjin për trajtimin e pronës duke ankimuar në Gjykatë mënyrën sesi vlerësohej prona dhe mënyrën sesi kompensohej financiarisht ajo. Në ndryshimet e vitit 2022 u vendos që përllogaritja e pronës për kompensim të bëhej sipas kategorisë që ka qenë në kohën e kompensimit, pra sipas zërit të vjetër kadastral.
Scan Tv