15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Vlonjatët ja “fusin” qeverisë/ Gol 10 mln euro në Ujësjellësin e Vlorës; alarmohet Rama, Balluku kërcënon me SPAK

Klodian Tomorri

Kur dy ditë më parë një faqe facebooku e quajtur Vlora Info nisi të publikonte copa të shkëputura vendimesh të Gjykatës së Vlorës, askush nuk e kishte idenë se çfarë qëndronte nga pas. Por tashmë panorama është e qartë.

Disa punonjës dhe ish punonjës të Ujësjellësit të Vlorës kanë gjetur një skemë të sofistikuar për të vjelë para nga ndërmarrja e tyre. Në mënyrë të koordinuar ata kanë paditur Shoqërinë e Ujësjellësit në Gjykatën e Vlorës duke kërkuar shtesat e vjetërsisë në punë, fitimin e munguar nga mosdhënia e këtyre shtesave bashkë me kamatvonesat, pagesat për punë të vështirë dhe madje edhe kompesimin ushqimor. Dhe të gjithë janë duke fituar.

Ky nuk është thjesht një episod si shumë të tillë ku punonjësit marrin kompesime nga institucionet e tyre për largim të padrejtë nga puna. Skema në këtë rast është aq e madhe, saqë praktikisht e ka çuar Ujësjellësin e Vlorës në faliment.

Kapitali konsultoi disa prej vendimeve të gjykatës. Sipas tyre, çdo punonjës është duke fituar nga 100 mijë deri në 150 mijë nga Ujësjellësi i Vlorës. Ky më poshtë është një rast.

Laureta Jatagani për disa vjet ka qenë kryetarja e degës së shitjeve të Ujësjellësit të Vlorës. Tre javë më parë, me një vendim të Gjykatës së Vlorës në dorë ajo bllokoi llogaritë e shoqërisë së Ujësjellësit për të ekzekutuar shumë 102 mijë euro si shtesa të mohuara page dhe kamatvonesa.

Por zonja Jatagani nuk është rast i izoluar. Burime të mirëinformuara i thanë Kapitalit se janë të paktën 100 padi nga punonjës dhe ish punonjës kundër Ujësjellësit të Vlorës, të cilët kërkojnë të gjithë të njëjtën gjë; njohjen e shtesave të pagave për vitet e punës, kamatvonesat e akumuluara dhe kështu me radhë.

Sipas informacioneve nga brenda ministrisë së Infrastrukturës, deri më tani janë dhënë të paktën 40 vendime në favor të paditësve, ku për të gjithë shuma e dëmshpërblimit varion nga 100 mijë deri në 150 mijë euro. Shumica dërrmuese e vendimeve janë të tre muajve të fundit, ndërkohë që ditë pas dite dalin të tjerë.

Ndërsa gjykata e Vlorës jep vendime, mbi llogaritë e ujësjellësit të Vlorës po bien me breshëri urdhër ekzekutimet përmbarimore. Deri tani skema shkon 10 milionë euro, por goditja potenciale është shumë më e madhe se kaq.

Alarm në qeveri
Për shkak se ndërmarrjet e Ujësjellësit kanë qenë në vështirësi financiare thuajse gjithë kohën, ato nuk kanë bërë shtesa apo komesime pagash për vite të tëra, shpesh duke krijuar përplasje me ligjet në fuqi. Ndaj, skema e sofistikuar që kanë gjetur punonjësit e Ujësjellësit të Vlorës e ka vënë në alarm qeverinë e Tiranës, e cila ka frikë se metoda e “labëve” do të përhapet në të gjithë ujësjellësat e Shqipërisë duke i çuar të gjithë në falimentin dhe duke e lënë me gisht në gojë reformën e përqëndrimit të tyre.

Këtë të premte ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, udhëtoi me urgjencë në Vlorë posaçërisht për këtë çështje. E shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, zonja Balluku zhvilloi në Pallatin e Kulturës një mbledhje me drejtuesit dhe punonjësit e ujësjellësit të këtij qyteti, i cili zgjati vetëm 10 minuta. Qëllimi i vetëm i tij ishte kërcënimi i paditësve.

“Kjo nuk është një çështje që do lihet në sirtare, por do ndiqet ligjërisht për të gjithë të përfshirët. Kjo është detyra ime personale dhe stafit të Ministrisë dhe do ti shkohet deri në fund. Do çoj dosjen në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Dosjet janë gati,” kërcënoi Balluku.

Parimisht kjo është një përplasje mes militantëve socialistë të punësuar nëpër ujësjellësa dhe parisë rilindase në qeveri. Por teksa orekset e socialistëve të lartë dhe miitantëve të tyre poshtë kanë përfshirë vertikalisht të gjitha shkallët e sektorit publik, të vetmit që paguajnë janë gjithmonë qytetarët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *