Një nga kompanitë më të mëdha të botës për prodhimin e automjeteve, Volkswagen, është duke kaluar një krizë të vështirë financiare. Drejtori i Përgjithshëm i markës VW, Thomas Schäfer, denoncoi situatën të hënën gjatë një konfrontimi me sindikatat IG Metall në selinë e Wolfsburgut. Schäfer u citua të thoshte nga disa burime: “Për shkak të kostove të larta ne nuk jemi më konkurrues si markë. Situata është kritike dhe nuk mund të ecim përpara pa shkurtime të rëndësishme. Ne duhet të adresojmë çështje kritike, duke përfshirë personelin”.
CEO i mëparshëm i grupit, Herbert Diess, kishte parashikuar shkurtime për rreth 30 mijë punonjës nga mbi 600 mijë në nivel global, por komiteti i punimeve gjithmonë kishte kundërshtuar marrëveshjet e mëparshme për nivelet e punësimit.
Marka Volkswagen, lider i markave të vëllimit të grupit (Seat, Skoda), njoftoi një plan ristrukturimi gjatë Ditës së Tregjeve të Kapitalit në Qershor, më i madhi në historinë e grupit. Objektivi: rifitimi i marzheve dhe fitimeve falë kursimeve të përgjithshme prej 10 miliardë eurosh.
Besimi i markës në rrezik
Një sondazh i publikuar nga Automobilwoche dhe i kryer nga instituti i kërkimit të opinionit Civey në një kampion prej 2500 personash jep një pamje shqetësuese të grupit të madh gjerman dhe prodhuesit kryesor të makinave në Evropë. Shumica e të intervistuarve besojnë se Volkswagen është vërtet në krizë. 28% e shohin Volksëagen-in “definitivisht” në krizë, 25% thonë “ndoshta po”. 24% janë të pavendosur, ndërsa 23% nuk ndajnë pikëpamjen negative dhe zgjedhin “ndoshta jo” (18%) dhe “jo” (5%).
Parëiz Torgull, ekspert i automobilave në institutin e kërkimit të opinionit Civey, komentoi për Automobilwoche: «Kur njerëzit besojnë se një markë është në krizë, kjo mund të dëmtojë bazën e besimit. Besimi është baza e një marrëdhënieje të mirë, por në çdo krizë ka edhe një mundësi”. Torgull sheh, në fakt, një mundësi për të arritur klientë të rinj dhe shprehet se “megjithë të gjitha pengesat, VW me flotën e saj elektrike është aktualisht lideri i tregut në Evropë përpara Tesla dhe kompanive të tjera konkurruese”.
Një pengesë e rëndësishme për momentin janë vështirësitë në të cilat ndodhet qeveria e Berlinit pasi Gjykata Kushtetuese gjermane anuloi rreth 60 miliardë euro të parashikuara për energjinë e pastër, përfshirë makinat elektrike.