20 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Votimet e shtrenjta të shqiptarëve

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është shndërruar në një nga njësitë më të mëdha shpenzuese të shtetit, ku vetëm në dy muajt e fundit ka prokuruar miliona euro tendera, pjesa dërrmuese e të cilëve pa garë. Nga projekti pilot i votimit elektronik e deri tek instalimi i kamerave, kostoja e këtyre zgjedhjeve duket se do të jetë më e shtrenjta në historinë e shtetit shqiptar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik, për periudhën shkurt-prill, KQZ ka prokuruar rreth 1.7 miliardë lekë ose mbi 15 milionë euro tendera për përgatitjen e procesit zgjedhor të 14 majit. Pjesa dërrmuese e tyre, rreth 14 milionë euro janë tendera të mbyllur, me negocim dhe pa njoftim paraprak të kontratës.

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e fondeve të prokuruara deri më tani ka shkuar për ngritjen e sistemit të votimit dhe numërimit elektronik, një kontratë e cila është fituar nga kompania hollandeze Smartmatic. Kjo kompani ishte e njëjta që realizoi edhe projektin pilot të votimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021 në një tender që shkoi gati 20 milionë dollarë, i cili u përfol për abuzime.

Megjithatë këtë herë kostoja e zgjedhjeve duket se do të jetë ndjeshëm më e lartë edhe se ajo e vitit 2021. Përllogaritjet tregojnë se zgjedhjet e këtij viti mund t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 4 miliardë lekë ose 35 milionë euro, edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje lokale.

KQZ planifikon që në zgjedhjet e 14 majit, identifikimi elektronik i votuesve të shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa projekti pilot i votimit elektronik do të aplikohet në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *