30 Nëntor, 2023
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Wizz Air: “Brenda 10 viteve në Europë do të jemi vetëm ne dhe Ryanair”

Tregu i fluturimeve në Europë po shkon drejt dominimit nga një oligopol. Dhe ata do të jenë dy transportuesit me kosto të ulët, Ryanair dhe Wizz Air. Ky është vizioni i drejtorit ekzekutiv të kompanisë hungareze Wizz Air, József Váradi, i bindur se në një periudhë afatmesme «fluturimet ndër-evropiane do të jenë në duart e vetëm dy kompanive me kosto të ulët.

“Kompanitë tradicionale do të mbulojnë fluturimet ndërkontinentale, ndërsa tregu i brendshëm europian brenda 10 viteve të ardhshme do të dominohet nga ne dhe Ryanair,” thotë Varadi.

Rritja e pandalshme e “low cost”
Tre dekada më parë kompanitë low cost nuk ekzistonin. Por liberalizimi i tregut evropian të transportit ajror, përveçse stimuloi rritjen e trafikut, solli edhe ndryshim të madh strukturor në tregun e fluturimeve ajrore.

Në vitin 1998, pjesa relative e segmentit të tregut low cost në Evropë ishte afër zeros; por në vitin 2018, kompanitë me kosto të ulët zinin 30.3% të tregut, që korrespondon me 9100 fluturime mesatare ditore.

Për të arritur kosto të ulëta operimi për pasagjer dhe produktivitet të lartë të avionit, kompanitë low cost zakonisht ofrojnë shërbime pikë-për-pikë në rrugët me distanca të shkurtra me një flotë të një lloji të vetëm (B737, A320). Me një fokus të fortë te kostoja, shumë kompani low cost operojnë një flotë moderne dhe efikase ndaj karburantit me djegie relativisht të ulët të karburantit për kilometër pasagjerësh dhe emetime më të ulëta të dioksidit ta karbonit.

Në fillim, rritja e kompanive low cost u përqendrua në Evropën Perëndimore, por me zgjerimin e Bashkimit Evropian në 2004, ato u zgjeruan në mënyrë progresive në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke stimuluar një rritje të fortë në ato tregje në zhvillim. Edhe pse disa kompani loë cost kanë filluar të operojnë në aeroportet e mëdha evropiane, ato priren të operojnë në aeroporte dytësore më pak të mbingarkuar dhe mund të vendosin të hyjnë dhe të dalin nga tregjet e reja me një njoftim relativisht të shkurtër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *