Wizz Air, linja ajrore më e madhe në Shqipëri, njoftoi arritjen e numrit të 10 milionë pasagjerëve në Shqipëri, të cilanë fluturuar me këtë kompani që prej nisjes së fluturimeve në vitin 2017.
Gjatë vitit të kaluar, Wizz Air transportoi 4.6 milionë pasagjerë në Shqipëri, duke shënuar një rritje prej 49% në trafikun e pasagjerëve, krahasuar me një vit më parë. Ëizz Air ka operuar 25 mijë fluturime nga dhe drejt Shqipërisë në vitin 2023, krahasuar me 16 mijë në vitin 2022.
Në të njëjtën kohë, linja ajrore ka përmirësuar ndjeshëm edhe performancën operacionale, duke e çuar në 99.28% normën e fluturimeve të përfunduara sipas planifikimit. Për më tepër, gjatë vitit 2023, Wizz Air forcoi pozicionin e saj duke u renditur ndër tre linjat ajrore më të përpikta në Europë.
Wizz Air hyri në tregun shqiptar në vitin 2017, si kompania e parë me kosto të ulët në vend, duke hapur kështu mundësi udhëtimi me linja direkte dhe çmime të përballueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Që atëherë, kompania krijoi bazën e saj në Tiranë, me një flotë prej 11 avionësh. Me më shumë se 50 fluturime direkte nga Tirana, ndër to 24 destinacione unike, Wizz Air do të sjellë edhe dy avionë të rinj në bazën e saj në Tiranë në sezonin e ardhshëm veror si dhe do të prezantojë dy destinacione të reja nga Tirana – fluturime direkte drejt Valencias në Spanjë si dhe në Leipzig, Gjermani.