12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Zgjatet afati i bonove/ Maxhoranca propozon të njëjtin ligj, për të cilin SPAK akuzon Berishën për korrupsion

Deputetja socialiste Antoneta Dhima i ka propozuar Kuvendit miratimin e një projektligji, i cili zgjat afatin e përdorimit të bonove të privatizimit deri në dhjetor të vitit 2027. Zyrtarisht afati i përdorimit të bonove të privatizimit ka përfunduar në fund të vitit të kaluar.

Por në relacionin shpjegues të draftit, deputetja socialiste thotë se zgjatja e afatit është e domosdoshme pasi janë me mijëra qytetarë, të cilët mund të përfitojnë duke i përdorur ato për të privatizuar objekte shtetërore.

“Një numër i konsiderueshëm i objekteve që administrohen nga ministria e Mbrojtjes, ajo e Bujqësisë, ministria e Brendshme dhe organet e pushtetit vendor nuk janë privatizuar ende. Shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish pronarëve, të cilëve u është njohur apo kthyer prona me vendim të Komisionit. Duke qenë se pronarët kanë të drejtën e parablerjes, zgjatja e afatit të bonove do t’i ndihmojë ata që të paguajnë një pjesë të vlerës së privatizimit të këtyre objekteve me bono,” thuhet në relacionin e ligjit.

Po kështu deputetja Dhima shpjegon se kategoritë e tjera që përfitojnë nga zgjatja e afatit janë punonjësit e shoqërive aksionare, qytetarët që kanë banesa në proces legalizimi apo ata që kanë kontrata qiraje me shtetin.

“Në privatizimin e objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qirajë apo emfiteozë, këto objekte u shiten drejtëpërdrejtë qiramarrësve, të cilët mund të paguajnë deri në 80 për qind të vlerës me bono” thuhet në relacion.

Pikërisht ky është ligji për të cilin SPAK, akuzon ish kryeministrin Sali Berisha për korrupsion dhe Gjykata mori vendimin për izolimin e tij në arrest shtëpie pasi sipas prokurorisë në mesin e përfituesve të ligjit ishte dhe dhëndrri i zotit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili bashkë me pronarët e tjerë paguan 80 mijë euro me bono ose 11 për qind të vlerës totale të privatizimit të klubit Partizani. 

Tashmë mbetet për t’u parë nëse SPAK do të ngrejë të njëjtën akuzë edhe ndaj mazhorancës socialiste për zgjatjen e afatit të ligjit, pasi është praktikisht e pamundur, që në mesin e përfituesve të mos jetë edhe ndonjë krushk apo dhëndërr socialist.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *