14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Zyrtarizohet kontrata/ Ermal Beqiri ble Horizon për 380 mijë euro

Ermal Beqiri, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të IT-së nga AKSHI përmes kompanisë së tij Soft & Solution, ka zyrtarizuar blerjen e kompanisë Horizon shpk nga aksionerja e saj qipirote Comscope Limited.

Transaksioni i paralajmëruar pak javë më parë nga Kapitali.al tashmë është zyrtarizuar përmes publikimit të kontratës së shitjes në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sipas kontratës, rezulton se zoti Beqiri ka blerë 100 për qind të aksioneve të Horizon shpk për një çmim prej 380 mijë eurosh.

Ky duket një çmim paksa i çuditshëm duke patur parasysh faktin që në vitin 2022 Horizon shpk regjistroi një fitim prej 1.7 milionë eurosh.

Horizon shpk është një nga kompanitë e para në fushën e teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Vitin e kaluar kjo kompani realizoi një xhiro prej 526 milionë lekësh ose 5.3 milionë euro, ndërsa fitimi fiskal i kompanisë ishte rreth 1.7 milionë euro.

Aktualisht Horizon ka në vazhdim disa kontrata publike të përfituara nga AKSHI si serveri i Agjencisë së Prokurimeve Publike, ai i ministrisë së Financave dhe institucioneve të varësisë, mirëmbajtja e serverit të Tatimeve etj.

Ndërrohen kuajt e luftës

Kjo është kompania e dytë në tregun e teknologjisë së informacionit që zoti Beqiri ble brenda pak kohësh. Dy javë më parë ai zyrtarizoi blerjen e një kompanie tjetër të quajtur iTirana për 145 mijë euro.

Zgjerimi agresiv i grupit të Beqirit konfirmon atë që flitet prej kohësh nën zë në korridoret e tregut të IT-së. Tashmë Ermal Beqiri është “pezzo grosso”, që kanalizon paratë publike të AKSHI-t në llogari private duke rrëzuar nga froni Gerond Meçen e Advanced Business Solutions.

Pozitat e këtij të fundit flitet se janë dobësuar ndjeshëm nga një hetim i SPAK për tenderin 16.5 milionë euro të laboratorëve smart në shkolla. Pak ditë më parë hetuesit e BKH mësynë në zyrat e AKSH-it ku sekuestruan kompjutera dhe celularë nga disa zyrtarë piklërisht për këtë kontratë. Ndërkohë që hetimet kanë nxjerrë në pah se tenderi, çmimet e të cilit rezultojnë të fryra deri në 4 herë mbi koston reale është kamufluar përmes një skeme karuzel, ku përfshihen të paktën 3 kompani të ndryshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *