Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njoftoi hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Sipas njoftimt, fermerët kanë afat deri në datën 30 maj për të aplikuar me qëllim që të përfitojnë nga masat mbështetëse.
Sipas vendimit të qeverisë, skema përfshin mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjethëve, të të imtave, mbarështim bletarie, mbështetje për farëra dhe fidanë si dhe inpute të tjera. Po kështu, skema subvencionon kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, fermat organike, certifikimi e fermerëve si dhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Në mungesë të granteve nga Bashkimi Europian, të cilat u ndërprenë për shkak të korrupsionit në shpërndarjen e fondeve, skema kombëtare është hapësira e vetme për fermerët shqiptarë për të përfituar mbështetje.
Megjithatë kjo skemë mbetet shumë e vogël, jo vetëm krahasuar me IPARD por edhe me skemat kombëtare të vendeve fqinje. Në total fondi i saj është 44 milionë euro, me të cilin qeveria synon të mbështesë 60 mijë fermerë në rang kombëtar. Pra më pak se 800 euro për fermë, mesatarisht.
Sipas njoftimit nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, nga data 14 prill, ora 08:00 deri më 30 maj, ora 24:00.
Financimi
Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural financon për gjedhët deri në 10.000 lekë për lopë ose mëshqerra, 5.000 lekë për viçat, në ferma jo më pak se 10 krerë. Për bagëtitë e imta vijon po e njëjta masë financimi 1200 lekë/krerë; për bletarinë 1000 lekë/koshere; për perimet/luleshtrydhen/ rrush tavoline në serra, masa e financimit është 200 000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha).
Këtë vit është rritur një masë financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve, ku 50% e vlerës totale të faturës tatimore do të rimbursohet sërish nga Skema Kombëtare e Mbështetjes.
Bimët aromatike dhe mjekësore vijojnë të jenë në fokus të Skemës Kombëtare me 30.000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha), si kriter pranimi. Fermat organike 100.000 lekë/vit dhe 200.000 lekë për çdo fermë të certifikuar. Certifikimi GLOBAL GAP mbështetet me 50% të vlerës totale të faturës tatimore. Ndërsa nga skema e naftës përfitojnë më shumë se 50 000 fermerë.
8 FUSHAT E MBËSHTETJES PËRMES SKEMËS
Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve.
Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të të imtave.
Mbarështim i bletarisë.
Mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera.
Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike
Mbështetje për ferma organike.
Mbështetje për certifikimin Global GAP.
Mbështetje për naftë për punimet e mekanizuara në ferma.