21 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Banka e Shqipërisë bleu 550 milionë euro, por leku nuk tundet

Banka e Shqipërisë bleu 270.5 milionë euro në tregun e brendshëm gjatë tremujorit të tretë të vitit, pjesa dërrmuese e të cilave u ble me qëllim për të pakësuar eurot në treg për të përmbajtur zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj lekut.

“Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2024, sikurse lajmëruar edhe gjatë muajit dhjetor 2023, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar gjashtë ankande për blerjen e valutës, ku janë blerë 94.40 milionë euro,” thuhet në deklaratën zyrtare të BSH mbi ndërhyrjen në tregun valutor.

Por shumë 94.4 milionë euro ka qenë vetëm një pjesë e blerjeve, ajo e programuara për rritjen e rezervës valutore të vendit. Krahas saj, BSH ka blerë euro në treg edhe për të mos lejuar rënien e saj ndaj lekut.

“Krahas blerjeve me ankand për rritjen e rezervës valutore, me anë të ndërhyrjeve në tregun valutor, në përmbushje të objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar, janë blerë 176.10 milionë euro, duke e çuar totalin e blerjeve gjatë tremujorit të tretë në 270.50 milionë euro,” thuhet në deklaratë.

Bashkë me ndërhyrjet gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, shifra totale e eurove të blera nga Banka e Shqipërisë për këtë vit arrin në gati 542.3 milionë euro, çka përbën një rekord historik. Vitin e kaluar, për 9 mujorin Banka e Shqipërisë bleu në total nga tregu i brendshëm 200 milionë euro ose gati 2.2 herë më pak se këtë vit.

Blerjet agresive të eurove nga tregu i brendshëm nisën veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit me nisjen e sezonit turistik. E trembur se prurjet e turizmit do të zhvlerësonin më tej euron ndaj lekut BSH nisi ndërhyrjet direkte në treg për të blerë euro me qëllim pakësimin e ofertës së kësaj monedhe në treg.

Përmes ankandeve të përmuajshme me qëllim mbajtjen e kursit të këmbimit nga maji deri në gusht, BSH bleu 313.7 milionë euro, ndërkohë që vitin e kaluar u blenë gjithsej vetëm 17 milionë euro për të mos lejuar forcimin e kursit të këmbimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *