Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të mëtejshme në Rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, duke vendosur kufizime më të forta në normat e interesit, sa i përket fashës së ulët të kredisë, asaj nga 0-200,000 lekë. Këto kufizime në Normën Efektivë të Interesit (NEI) pritet të prekin më shumë disa nga institucionet e mikrofinancës, të specializuara në këtë linjë kredish.
Sipas ndryshimeve të miratuara në mbledhjen e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilat i disponon Ekofin.al, për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë, NEI nuk do të llogaritet më si mesatare e interesit të kredive të akorduara në treg, duke i shtuar 1/3, por tashmë si mesatare e thjeshtë.
Ndryshimi është përcaktuar në nenin 14 të rregullores, ku thuhet “Përjashtim nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni bën kategoria e kredisë konsumatore me këste, në intervalin e shumave të disbursuara 0-200.000 lekë (ose ekuivalenti në monedhat e huaja), për të cilën Banka e Shqipërisë përcakton normën efektive maksimale të interesit sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë konsumatore me këste në intervalin e lartpërmendur.”
Gjithashtu në një tjetër ndryshim të rëndësishëm sa i përket mënyrës së pagesës së komisioneve në kontratat e kredisë konsumatore, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar në nenin 15 se “për kontratat e kredisë konsumatore, komisionet që lidhen me aplikimin për kredi, procesimin, administrimin, miratimin dhe disbursimin e kredisë, paguhen nga konsumatori në momentin e disbursimit të kredisë dhe nuk shpërndahen gjatë jetëgjatësisë së kredisë.”
Banka e Shqipërisë është kujdes gjithashtu të specifikojë se në rastin e këstit apo kësteve të kredisë, përfshihet vetëm kryegjeja, ose principali dhe interesi, pa lënë hapësira për vendosje komisionesh apo tarifash të tjera ekstra.
Në njoftimin për ndryshimet, BSH specifikon se ato janë realizuar me qëllim rritjen e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorëve, reduktimin e mëtejshëm të kostove të huamarrjes për kreditë konsumatore dhe rritjen e transparencës ndaj tyre, veçanërisht për subjektet financiare jobanka.
Tashmë pritet të shihet se cili do të jetë impakti i këtyre ndryshimeve në tregun e mikrofinancës, në linjat e kredive deri në 200 mijë lekë, të cilat kanë patur interesa më të lartë, për shkak se edhe kostoja e kredisë vlerësohet e lartë dhe gjithashtu kostoja e sigurimit të fondeve për këto institucione që nuk mbajnë depozita është sërish e lartë.
Ndryshimet në rregullore do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit të saj në Fletoren Zyrtare. Ndërsa parashikimi për pagesën e komisioneve nga konsumatori në momentin e disbursimit të kredisë, do të fillojë të aplikohet duke nisur nga 1 maji 2025.