Që pas viteve të pandemisë, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve komerciale, e ndikuar nga faktorë të ndryshëm, përfshirë rritjen e interesit turistik dhe hyrjen e linjave të reja ajrore që operojnë në nivel europian. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, numri i fluturimeve komerciale që nga e njëjta periudhë para pandemisë e deri në maj të këtij viti është rritur me rreth 160%.
Në nivel rajonal, Shqipëria renditet e para për nga rritja e fluturimeve komerciale. Bosnje dhe Hercegovina mban vendin e dytë me një rritje prej 66.1%, duke u paraqitur gjithashtu me një performancë shumë të mirë. Serbia renditet e treta me një rritje prej 43.9%, ndërsa më pas vijnë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me rritje përkatësisht prej 25.3% dhe 14.4%.
Për muajin maj të këtij viti, Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë në Europë për rritjen më të lartë të fluturimeve krahasuar me periudhën para pandemisë. Pas saj renditet Islanda me një rritje prej 124%, ndërkohë që Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Malta kompletojnë pesëshen e parë të vendeve me performancën më të mirë për këtë muaj.
Megjithatë, situata nuk është pozitive për të gjitha vendet e kontinentit. Disa shtete europiane kanë shënuar rënie të konsiderueshme në numrin e fluturimeve komerciale. Gjermania ka regjistruar një ulje prej 12.1%, ndërsa Finlanda, Sllovenia dhe Suedia raportojnë përqindje edhe më të mëdha të rënies, respektivisht -22.3%, -24.9% dhe -28.5%. Ndërkohë, Letonia mban vendin e fundit në renditje, me një rënie të ndjeshme prej 30.5%, duke u pozicionuar si vendi me performancën më të dobët në këtë drejtim.
Në tërësi, të dhënat tregojnë se Shqipëria jo vetëm ka tejkaluar nivelet e fluturimeve të para pandemisë, por ka kapërcyer shumë vende të zhvilluara të Europës, duke u pozicionuar si një nga destinacionet më të përparësuara për aviacionin civil dhe turizmin ndërkombëtar.