19 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

“Bukë, zemër dhe beton”

Në Tiranën që po ngrihet mbi rrënojat e kujtesës dhe interesit publik, u mbajt festivali “Bukë dhe Zemër” (Bread and Heart). Disa prej emrave më të mëdhenj të arkitekturës botërore zbritën në Tiranë, jo për të vënë në pikëpyetje betejën urbane që zhvillohet përditë mbi trupin e qytetit, por për t’i dhënë asaj një pamje më të pranueshme.

Nën shkëlqimin e “Book Building”, një ndërtesë ende e papërfunduar, që i ka bllokuar qytetarëve fushëpamjen e sahatit të qytetit zuri vend një paradoks i thellë midis diskursit etik të “star-arkitektëve” dhe shërbimit të tyre konformist ndaj një qeverie, që ka ngritur modelin e vet ekonomik mbi një vrull ndërtimesh të pakontrolluara e me burime të errëta financimi.

Të ftuarit ndërkombëtarë në këtë event, për të cilin paguhej deri në 360 euro për një biletë hyrëse, vinin me një reputacion të ngjizur mbi parime të qëndrueshmërisë ekonomike, respektit ndaj mjedisit, hapësirës dhe vlerave sociale. 

Alejandro Aravena, për shembull, është fitues i çmimit Pritzker – konsideruar si çmimi Nobel në arkitekturë – për projektet e rindërtimit me funksion strehimin social në Kili pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2010 ku humbën jetën mbi 500 persona. 

Por në Tiranë ai prezantohet si fitues i konkursit për “Tirana Society Towers”, një projekt “monstruoz” kullash 300 metra të larta pas Pallatit të Kulturës, në qendër, i konceptuar si qiellgërvishtësi i parë në një qytet që po mbytet nga betoni dhe ku asnjë verifikim publik nuk bëhet mbi origjinën e investimeve që financojnë këto kulla.

E njëjta gjë vlen për Stefano Boerin, autor i planit Tirana 2030, i cili për vite u promovua nga qeveria dhe Bashkia Tiranë si një zhvillim vizionar për kryeqytetin, me përparësi për transportin publik, hapësirat e gjelbra – i paharruar kujtimi i Pyllit OrbitalUnazës së Gjelbër të Tiranës dhe kufizimi i lartësisë në zonat historike.

Kryeministri Rama, drejtorja e AZHT Roka dhe arkitekti Aravena/Citizens.al

Vetë Boeri ka marrë përsipër ndërtime masive dhe të larta në zonën e ish-Bllokut dhe pas Presidencës, në shkelje të vetë parimeve për të cilat ai punoi dhe shpalli në planin e tij “Tirana 2030”. Në ditët e festivalit Boeri promovoi edhe librin e tij për “Pyllin vertikal”, një koncept që në Tiranë u aplikua vetëm te tarraca e Bashkisë Tiranë dhe te kulla 21-katëshe e “Gener 2” prapa Stadiumit Kombëtar.

Në përgjithësi, diskutimet në katin e parë të Book Building, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ishin një përzierje fjalimesh entuziaste, lavdërimesh për “rilindjen arkitekturore” të Shqipërisë dhe paralajmërimesh utopike për një të ardhme që vjen nga qielli.

Arkitekti  Steven Hall, i cili ekspozoi për herë të parë kullën “Kastrati Tower” nga “Kastrati Group” – dy herë më masive se “Donwtown One”, e cila parashikohet të ngrihet përballë, krah Katedrales Katolike Shën Pali – foli me mbresa për një “kravatë speciale” që ia kishte dhuruar Rama.

Vetë Kryeministri, në deklaratën më të rëndësishme të eventit, ku si rallë herë lexoi një fjalim të parapërgatitur – si për të thënë, ky është një leksion i imi për ju, për arkitekturën botërore, për të cilin meritoj një “standing-ovation”, – pretendoi se “Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Europa së bashku”, një deklaratë që nuk mbështetet në asnjë statistikë, por që maskon realitetin e një zhvillimi urban të pakontrolluar, pa konsultime, pa transparencë dhe pa mekanizma të qartë që ndalojnë pastrimin e parave përmes ndërtimit.

Në të vërtetë, vetëm gjatë dekadës së fundit, sikurse Citizens.al ka treguar, në Tiranë janë shqyrtuar apo miratuar rreth 140 leje për kulla shumëkatëshe – një bum ndërtimi që ka ardhur jo si rezultat i një planifikimi të kujdesshëm urban, por si pasojë e një strategjie që favorizon një grusht sipërmarrësish, lidhjet e tyre politike dhe investimet me burime të dyshimta. 

Shumë prej projekteve të ekspozuara në katin e dytë dhe të tretë të “Book Building” nuk ishin miratuar ende zyrtarisht, por ishin aty si për të sinjalizuar përkushtimin e qeverisë ndaj këtij vizioni vertikal, ku betoni zë vendin e kujtesës historike, bregdetit dhe interesit publik.

Maketi i “Kastrati Tower” dhe paraqitja me vendndodhje sipas një modelimi në “Skyscrapercity”/Citizens.al

Ndërkohë, hapësirat publike ngushtohen, ndërtesat historike lihen nën hije, fshihen ose shemben, dhe qyteti humbet karakterin, zemrën, shpirtin e vet, për t’u zëvendësuar nga këto ndërtime masive që nuk pasqyrojnë as nevojat e banorëve, as historinë urbane, por vetëm interesat e ndërtuesve dhe natyrisht: vizionin e Kryeministrit.

Në këtë kontekst, pjesëmarrja dhe entuziazmi i arkitektëve të mëdhenj ndërkombëtarë nuk mund të shihen si neutralë. Nëse këta profesionistë flasin për “arkitekturë me ndërgjegje” në vende të tjera, në Shqipëri po firmosin projekte që kontribuojnë në shkatërrimin urban dhe social, atëherë fjala “hipokrizi” është e paktë dhe e pashmangshme.

 

 

Nën këtë hipokrizi, mes të ftuarve ishte dhe arkitekti danez Bjarke Ingels (BIG), i cili nuk publikoi shumë kontekst nga eventi në rrjetet e tij sociale. Pavarësisht kësaj, askush nuk e harron në Shqipëri, që ai u kontraktua nga sipërmarrësi privat “Fusha shpk” për të dizejnuar, pa konkurs dhe pa garë, një ndërtesë publike: “Teatrin Kombëtar” dhe pas tij një kullë 33-katëshe.

Nëse ka një dilemë etike – sipas kritikut britanik Oliver Wainwright: “A duhet të punojnë arkitektët për regjime shtypëse?” – mund të themi se kjo nuk mbetet teori në kontekstin shqiptar. Në artikullin për The Guardian (2020), Wainwright kritikonte Ingelsin për bashkëpunime me regjime si ai i Jair Bolsonaros në Brazil (2019-2023) dhe Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite, duke ironizuar stilin e tij si “TED-Talk për diktatorë”

Kjo qasje ilustrohet qartë në Tiranë. Ingels projektoi Teatrin e ri Kombëtar me shembje në mënyrë të dhunshme të godinës historike jashtë çdo procesi konkurrues apo konsensusi publik.

Projekti, i dhënë fillimisht përmes një ligji special, u shoqërua me akuza për favorizime politike dhe kafshim të hapësirës publike në interes ndërtimi kullash për privatin. Në këtë kontekst, angazhimi i BIG-ut në Tiranë nuk është thjesht një çështje estetike apo funksionale, por një akt me ngarkesë politike: një arkitekt që në vende evropiane – aq më shumë në Danimarkë – projekton me ndjeshmëri sociale, në Shqipëri bëhet palë në riformatimin autoritar të qytetit.

Siç paralajmëron kritiku tjetër britanik, Jeremy Till, Arkitektura nuk është neutrale: ajo ose e forcon pushtetin ekzistues, ose e sfidon atë”. Në rastin e Tiranës, BIG-u zgjodhi të ndërtojë për pushtetin, jo për qytetin.

Projekti i arkitektit Luca Dini “Colosseum 339″/Citizens.al

Kontrasti dhe shpërfillja e arkitekturës vendase

Për ata që patën mundësi ta ndiqnin nga afër festivalin “Bukë dhe Zemër”, aktiviteti nxori në pah kontrastin mes emrave të mëdhenj të arkitekturës ndërkombëtare dhe mungesës së dukshme të përfshirjes reale të komunitetit vendas të arkitektëve, urbanistëve dhe studiove të pavarura shqiptare.

Për një event të kësaj shkalle – që bashkoi 170 pjesëmarrës të huaj nga më shumë se 20 vende – pritej që të shërbente si një platformë ku zëri i arkitektëve shqiptarë jo vetëm të dëgjohej, por të vihej në qendër të vëmendjes.

Në vend të kësaj, festivali mbeti në thelb një vitrinë e “arkitekturës së importit”, ku projektet për Shqipërinë u artikuluan nga të huajt e përzgjedhur nga pushteti, ndërsa profesionistët vendas u reduktuan në role logjistike e teknike si ndihmës ose përmendje në fund të fletushkave apo ekspozitës promovuese.

Pjesëmarrja e kufizuar e arkitektëve shqiptarë në panelet e diskutimit – së paku të eventit publik të datës 6 qershor – ishte simptoma e qartë e qasjes që nuk njeh, nuk përkrah dhe nuk investon në potencialin vendas të arkitekturës.

Përveç Kryeministrit Rama dhe dy emrave që lidhen drejtpërdrejt me organizimin dhe institucionet publike – Falma Fshazi ish-drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) dhe Sonila Abdalli, arkitekte, drejtuese dhe themeluese e Destil Creative Hub – nuk pati asnjë përfaqësim tjetër në fjalime, ligjërata apo diskutime nga studiues, arkitektë apo zëra të pavarur shqiptarë.

Mungesa ishte edhe më domethënëse nëse merret parasysh se aktiviteti nuk pati asnjë emër shqiptar nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi mes të ftuarve zyrtarë – paraqitur në webfaqe – ndonëse këto vende ndajnë realitete të ngjashme urbane dhe kulturore me Shqipërinë, dhe mund të kishin sjellë përvoja të vlefshme rajonale.

Stenda e “AYA” në aktivitetin Bread and Heart/Citizens.al

Ekspozitat në katet e sipërme të “Book Building” – që përmbanin projekte të më shumë se 60 studiove të njohura ndërkombëtare – u ndërtuan nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, i studios 51N4E dhe iRI, në bashkëpunim me disa kompani ndërtimi dhe studio vendase. Këto të fundit, ishin përmendur në cep të broshurave më tepër “në rolin e asistentëve teknikë” sesa si aktorë të barabartë në procesin krijues.

Ngjashëm, stendat rreth Bashkisë Tiranë dhe “Book Building” ekspozonin emrat e disa prej kompanive shqiptare, por prania e tyre ishte më shumë si dëshmi e rolit prej zbatuesi të projekteve “të hartuara gjetkë”.

Jashtë kësaj fasade zyrtare, në një nga stendat më të vogla, por më domethënëse – të organizuar nga grupimi Albanian Youth Architects – opinioni ishte krejt ndryshe.

Në një mori fletushkash të vendosura për diskutim të hapur, arkitektët e rinj tërhoqën vëmendjen për mungesën e pjesëmarrjes vendase në vendimmarrjen urbane, për anashkalimin e traditës, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe planifikimit gjithëpërfshirës.

“Arkitektura është shumë premtuese, por planifikimi urban është lënë pas dore,” thuhej në një prej fletëve, ndërsa në një tjetër theksohej se “korrupsioni i jep formë horizontit të qytetit”.

Në pyetjet e hapura për të ardhmen e qyteteve të Shqipërisë, komentet e pjesëmarrësve ishin shqetësuese: “Kaos”, “mungesë hapësirash publike”, “zhvillim që nuk merr parasysh njeriun”.

Kjo qasje kritike ndaj vizionit vertikal të Tiranës dhe rolit gjithnjë e më të kufizuar të arkitektëve vendas u ilustrua edhe me komente mbi projekte specifike.

Opinione të shprehura në stendën e AYA/Citizens.al

Për shembull, një i pranishëm e përshkruante projektin e kullës së Luca Dini-t si “i frikshëm”, ndërsa një tjetër sugjeronte vlerësimin dhe përfshirjen e elementëve tradicionale dhe ruajtjen e elementëve që dallojnë identitetin në ndërtimet e reja.

Për projektin “Downtown One” të “Kastrati Group”, një pjesëmarrës shënonte: “Lartësi mbresëlënëse, por mungon hapësira e vërtetë publike rreth objektit”. Ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i problemit thelbësor: mungesës së një plani urban që vë në qendër qytetarin.

 

 

Në këtë panoramë, festivali “Bukë dhe Zemër” i ngjau më shumë një ekspozite të kontrolluar, ku arkitektura përdoret për të legjitimuar politikat e ndërtimit, sesa një forumi të hapur për ide, konkurrencë dhe përfshirje.

Kështu, festivali mund të ketë sjellë “bukë” për karrierat e disave dhe “zemër” për vizionet autoritare të qeverisë për transformimin e vrullshëm urban, por për qytetarët ai përforcoi një tjetër realitet: atë të një vendi që po shet shpirtin për një fasadë me shkëlqim, të financuar nga interesa të padeklaruara dhe të firmosura nga ata që, gjoja, do ta mbronin, ruanin, dhe zhvillonin në të mirë për publiken.

Citizens.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *