20 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Fermerët 2 vite pa fondet e IPARD, KE ‘zbarkon’ në Shqipëri për monitorim

Ende nuk ka një dritë jeshile nga Komisioni Evropian për të çelur fondet e IPARD për Shqipërinë, që janë të bllokuara prej 2 vitesh. Delegacionet e BE, KE dhe IPARD kanë mbërritur në Tiranë, ku janë njohur me masat e marra nga institucionet shqiptare për mbrojtjen e fondeve, por nuk është dhënë asnjë informacion se ç’do të ndodhë me IPARD III, me vlerë 112 milionë euro.

Delegacioni i Komisionit Evropian dhe strukturat e IPARD, janë rikthyer në Shqipëri për të analizuar raportet e monitorimit të fondeve që BE, jep për sektorin e bujqësisë në vend. Që prej korrikut të vitit 2023 Komisioni Evropian e ka ndërprerë mbështetjen që i jep Shqipërisë përmes programit IPARD, për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të konstatuara në IPARD II.

Delegacioni i BE është njohur me raportin përfundimtar të IPARD II si dhe me raportin vjetor për vitin 2024. Po kështu institucionet shqiptare i kanë njohur me masat e marra për menaxhimin dhe për monitorimin e fondeve të IPARD.

Ministria e Bujqësisë njofton se është zhvilluar Takimi i II-të i Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III 2021–2027, dhe se diskutime ka pasur edhe për masat e reja të IPARD III, por pa specifikuar se kur do të rihapen fondet e BE-së për fermerët shqiptarë. Diskutime gjatë këtij komiteti ka pasur edhe për sistemet e monitorimit të fondeve që BE jep për bujqësinë.

Po kështu Report TV mëson se në vjeshtën e po këtij viti përfaqësues të BE, IPARD, e KE, do të rikthehen në Tiranë për auditimin e masave që ka marrë Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR, për të mbrojtur fondet e BE dhe për përdorimin e tyre me transparencë. Aktualisht pranë AZHBR-së është ngritur një sistem që parandalon parregullsitë pasi bën një verifikim në kohë reale të aplikimeve të bëra.

Ministria e Bujqësisë pret që drita jeshile për IPARD III të jepet në vitin 2026, duke u dhënë kështu mundësinë fermerëve të përfitojnë në 9 fushat që do të mbështeten me fonde, si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim. Ndërkohë është mbyllur lëvrimi i fondeve për fermerët përfitues nga IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 me 94 milionë euro në total.

Komisioni Evropian pezulloi fondet për Shqipërinë pasi OLAF (Zyra Europiane Kundër Mashtrimit), gjeti keqpërdorime serioze me fondet e programit te mëparshëm IPARD II, pas hetimeve që ata bën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.

Aplikuesve u kërkohej që një pjesë e madhe e grantit si pagesë për një kompani konsulence lokale, nuk kishte konkurrencë për kontratat dhe çmimet ishin të fryra e në shkelje të rregullave kontraktuale. Këto ishin disa nga parregullsitë që gjeti OLAF në hetimet që bëri në Shqipëri.

Report tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *